TIRANË

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali tha se vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nuk është krim shtetëror dhe se nuk është urdhëruar nga Sandër Lleshaj apo kryeministri Edi Rama duke siguruar se krimi do të zbardhet.

“Ky nuk është krim shtetëror se nuk është urdhëruar nga Sandër Lleshaj dhe Edi Rama. Do zbardhet të keni sigurinë më të plotë. Nuk është ai efektiv policie në rrugë dhe ju do kishit të drejtë të thoshit që po e mbroni vrasësin. Është pas hekurave. Po ta kishte dhënë Ardi Veliu dorëheqjen do thoshit pse nuk e dha Sandër Lleshaj. As Ardi Veliu as Sandër Lleshaj nuk kanë asnjë përgjegjësi ligjore. Por humnera morale që na ndan nga ata detyroi Sandër Lleshaj, një ministër dinjitoz të jepte dorëheqjen.
Sali Berisha pardje ka deklaruar se ai i jepte urdhrat për vrasjet. Ka lëshuar një kod për vrasjet. Se me kode flet ai njeri tribal.

Keni ndonjë dyshim që ky dhe ai në presidencë po e mbajnë peng këtë vend. Ata kanë frikën që më 25 prill do humbin. Ky i ka dhënë urdhrat. Ish-kryeministri deklaron që praktikisht ka bërë vrasje dhe do bënte vrasje të tjera”, deklaroi Spiropali në emisionin “Kjo Javë” në News24.

Ajo theksoi se nuk ka asnjë shans që të digjen institucionet sepse ligji do veprojë mbi ta.
“Me Sali Berishën do merret historia. Por të kenë të qartë, Berisha, Meta, Kryemadhi që duan të djegin institucionet që nuk kanë asnjë shans sepse ligji do veprojë mbi ta dhe mbi këdo që guxon të kthejë kohën pas. Më 25 prill historia do merret me ta.
Pres të zbardhet ngjarja e plotë dhe të bëhet drejtësi. Është në hetim dhe jam e bindur që drejtësi do të bëhet dhe të gjitha rrethanat e ngjarjes do përsëriten.
Drejtësia është garancia më e madhe. Kur ka drejtësi dhe ne kemi luftuar në këto 7 vite që sistemi i drejtësisë të ngrihet nga e para. Patjetër me institucionet e reja do kemi dhe një shoqëri më të qetë sepse do ta dinë që në sallë ne gjyqit drejtësi do të bëhet”, tha ajo.

Sa i përket shoqërimit të kryeredaktorit të “Koha Jonë” apo gazetarëve të tjerë, ajo tha se gazetarët nuk kanë imunitet të posaçëm nga shoqërimi në polici. “Nuk i di rrethanat e ngjarjes, aktet e tyre. Policia brenda asaj që i jep ligji shoqëron, verifikon, nxjerr. Policia jonë është përballur me një sulm, ka 2 vjet që goditet, fyhet”, tha më tej ministrja Spiropali.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb