Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, replikoi me kryedemokratin Lulzim Basha, teksa në Kuvend po diskutohet pr.ligji për statusin e “Fëmijëve nën kujdesin e Republikës.

Nga foltorja e Kuvendit, ministrja Spiropali iu drejtua Bashës, duke i thënë se e ka humbur mundësinë dhe privilegjin për replikë nga ana e shumicës. Më tej, ajo u ndal te statusi “Fëmijë nën kujdesin e Republikës”, duke thënë se meritojnë mbështetje e përkujdesje të gjithë fëmijët, që kanë humbur prindërit e tyre në krye të detyrës.

“E keni futur opozitën në vallen e marrëzisë. Ju z. Basha e keni humbur mundësinë dhe privilegjin e një replike nga ana e kësaj shumice. Duke iu lënë na avazin tuaj, unë po kthehem te një hero i vërtetë. Arjan Sala ishte baba i një fëmije. Një ditë marsi të këtij viti ai u nis për në punë për të mos u kthyer kurrë më. Kamerat e siguruan teksa futej në zonën e rrezikut për të nxjerrë punonjësit nga magazina e qendrës, që po shkrumbohej. Sot ne propozojmë pr.ligjin për statusin “Fëmijë nën kujdesin e Republikës”, për të mbështetur fëmijët e atyre prindërve, që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Nuk ka mbështetje materiale që të mbushë zbrazëtinë e atyre fëmijëve, por detyra e shtetit është që fëmijët e dëshmorëve që japin jetën në krye të detyrës të mos mbeten vetëm, por të ndjehen të mbështetur për të hyrë në rrugën e jetës së tyre. Synimi ynë është t’iu ofrojmë përkujdesjen e shtetit fëmijëve të policëve, mjekëve, infermierëve, dëshmorëve të atdheut. Në themel të kësaj politike është nderimi më i lartë për fëmijët e atyre që për shtetin tonë japin gjithçka”, tha Spiropali.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb