Në një takim me banorët e Gërdecit, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherazi drejtuesja politike e PS-së për Qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali, e vuri theksin tek ngjarja tronditëse e ndodhur në këtë zonë në mars të vitit 2008.
Sipas saj, shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve, ku humbën jetën gra, burra e fëmijë ishte dëshmia se si përfundon një vend kur qeveriset nga të marrët. “Ju e dini më mirë se kushdo tjetër se ata që po duan të vijnë në pushtet, vetëm lëkurën kanë ndërruar, po janë të njëjtët. Është ish-qeveria që këtë fshat të mrekullueshëm dhe fshatrat afër, i ktheu në varr. Janë të njëjtët njerëz që nuk kursyen asngjë për të mos bërë drejtësi.Është dëshmia më e qartë se si përfundon një vend kur qeveriset nga të marrët dhe hajdutët”, tha ajo.
Më tej Spiropali u ndal edhe tek një shpalljen e gjyqtarit Ardian Dvorani nga Departamenti Amerikan i Shtetit si një nga 12 kampionën në botë në luftën kundër korrupsionit.
“I vetmi gjykatës që nuk iu nënshtrua, që humbi edhe vëllanë ketu në Gërdec, Dvorani, mori dje vlerësim nga Departamenti Amerikan i Shtetit si kampion në luftën kundër korrupsionit sepse iu doli përballë atyre që i bien ndesh reformës në drejtësi. A janë ata që bërtisnin ‘Dvorani, Dvorani’, Sali Berisha, Ilir Meta, etj.? I dha vlerësim DASH si i palodhur në punën e tij në kontributin që ka dhënë për materializimin e reformës në drejtësi edhe përkundër ndikimit politik dhe kriminal”, -tha ministrja.