TIRANË- Partia Socialiste ka vënë sërish në shënjestrës së saj deputetin demokrat Flamur Noka por këtë herë është shtuar edhe deputeti Alban Zeneli. Duke u ndalur tek çështja e dekriminalizimit, Zëdhënësja e Kryesisë së PS, Elisa Spiropali i ka kërkuar Partisë Demokratike të përgjigjet për dënimin e deputetit Zeneli 2 herë, dhe nëse mban përgjegjësi për vendosjen e tyre në listën e kandidatëve të saj për deputetë.

DEKLARATA E SPIROPALIT
Lulzim Basha dhe Partia Demokratike nuk po përgjigjen për Flamur Nokën i cili në Formularin e Dekriminalizimit, në rastin më të mirë, ka bërë deklarim të rremë dhe dënohet nga ligji me heqje të mandatit. Në këto rrethana kryetarit të Shqupit Berisha dhe kukullës së tij Basha, po u drejtojmë këto pyetje;

Zotërinj shqupista, po për dënimin dy herë me burg të deputetit tuaj Alban Zeneli, në 1992 dhe 1996, çfarë keni për tu thënë shqiptarëve?

Meqenëse sipas asaj që ju predikoni, faji nuk është i deputetit të dënuar, por i juaji që e vendosët në listë, ç’mund të thoni dhe çfarë qëndrimi mbani ju për Flamur Nokën dhe Alban Zenelin?

A mbani ju përgjegjësi për emërimin në listën tuaj fituese të këtyre deputetëve?

Ky pra zotërinj, është ndryshimi mes nesh dhe jush. Për ne çdo shqiptar është i barabartë përpara Ligjit. Kur një deputet i yni shkel ligjin ne e largojmë nga radhët tona dhe e lemë në dorë të drejtësisë.

Ju jo. Për ju gjithçka është teatër, teatër i keq, i ngatërruar, ku aktorët nuk dëgjojnë mirë fjalët e shqiptuara nga sufleri i lodhur.

Tashmë që nga 19 kriminelët e shpallur nga ju me aq bujë në radhët e shumicës, nuk gjetët asnjë të vetëm, thoni të paktën dy fjalë për dy të burgosurit tuaj. Flisni. Ne dhe shqiptarët po ju presim.

PD: NUK ARRIJNË TË DALLOJNË VRASËSIT, TUTORËT, TRAFIKANTËT, NGA NJË AKSIDENT DHE ARRATISJE
Partia Demokratike i është kundërpërgjigjur akuzave të PS-së duke sulmuar ish-drejtoreshën e Doganave, sot zëdhënëse e Kryesisë së selisë rozë. Në një reagim për mediat, PD akuzon Spiropalin për gropën e madhe në dogana me 1 mln dollarë vjedhje në ditë. Ndërkaq PD, thotë se dënimi i deputetit demokrat Alban Zeneli ka qenë pë një aksident rrugor dhe i Nokës për arratisje nga Shqipëria e Ramiz Aliajt.

“Nuk mund të gjente Edi Rama person më të përshtatshëm për të bërë gargarë me jargët e tij, se sa Elisën e traut të ngritur, që krekoset nëpër tavolina miqsh se ka bërë 5 milionë euro për një vit në dogana. Po ç’turp mund të ketë Rama dhe Elisa e tij që hapën gropën më të madhe në historinë e doganave me 1 milionë dollarë vjedhje në ditë. Syri ju sheh vetëm para, dollarë, euro, ndaj nuk arrijnë të dallojnë vrasësit, tutorët, trafikantët, nga një aksident rrugor 24 vite më parë. Elisa e traut të ngritur u përdor dhe sot për te vënë barazinë mes krimeve të tmerrshme e çnjerëzore të Frrokut, Nokës, Bushit, Roshit, Prengës, Bardhit, me arratisjen nga Shqipëria e Ramizit”, deklaron PD.

Sipas saj, “Elisa e traut të ngritur duhej të ishte në kaushin e plehrave për evazion, por me Ramën atë se kap drejtësia”. “Drejtësia do të bëhet, dekriminalizimi do të bëhet dhe jargët që dalin nga selia e Ramës nuk e pengojnë dot”, thekson PD.​

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: