Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, zhvilloi ditën e djeshme një takim me Asamblenë Socialiste të Bashkisë së Kamzës, prej ku theksoi se “Djem dhe vajza, burra dhe gra, të vendosur të bëjnë histori në Kamëz me një fitore bindëse në 2021-shin për mandatin e tretë me Edi Ramën Kryeministër”.

Më tej, ministrja deklaroi se “Pushteti për ne nuk është qëllim në vetvete, por mjet për të arritur qëllime të larta. Të zhvillojmë komunitetet tona. Të transformojmë realitetet tona. Të ndryshojnë të ardhmen e fëmijëve të Kamzës dhe të gjithë Shqipërisë”.

“Qeveria dhe bashkia po investojnë në Kamëz më shumë se në 30 vite të marra bashkë. 20 shkolla të reja moderne, kopshte, çerdhe, banesa individuale, qendra lagjesh, kanalizime, ujësjellës, legalizime, e shumëçka tjetër. Për ta kthyer Kamzën nga një zonë periferike të shfrytëzuar si hambar votash për ata që abuzuan barbarisht me besimin e njerëzve, në një qendër urbane moderne dhe dinjitoze ku mund të jetohet me punë dhe nder. Kur energjitë mbinjerëzore të individit dhe të familjeve nuk shkojnë dëm, por përkthehen në të mira kolektive”, tha ajo.

“Me respekt, me punë, me besim, të gjithë bashkë do ia dalim ta bëjmë Kamzën shembull në Qarkun Tiranë”, u shpreh Spiropali.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb