LAÇ

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Laç ku ka inspektuar dëmet nga tërmeti në disa zona. Ai ka debatuar me disa banorë që nuk kanë dalë nga pallatet e dëmtuara duke iu kërkuar të largohen dhe të përfitojnë nga bonusi i qirasë. Ndalesa ishte në spitalin e Laçit, të spostuar në një vend tjetër për shkak të dëmtimit të madh të godinës ekzistente nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Të shkoni dhe të merrni bonusin e qirasë. Mirë, mirë hajt se ju nxjerrim ne. Mos i lini aty merrni policinë dhe çojini”, tha Rama.

Rama Lac
Rama Lac

Ai deklaroi më tej se spitali i ri i Laçit me të gjithë parametrat do të jetë gati brenda 6 muajve të parë të vitit tjetër. Gjatë bashkëbisedimit Rama tha se është rasti që Laçi të rilindë.

Ndërkohë nuk kanë munguar batutat për burrat dhe gratë teksa ka inspektuar godinën ku është vendosur stafi dhe spitali i ri i Laçit.

Rama: Faleminderit për të gjithë punën dhe sakrificat. Ky është spital partizan për momentin. Do ta kalojmë këtë fazë kështu por ne shumë shpejt do ndërtojmë spitalin e ri. Kemi bërë gjithë përgatitjet për të filluar projektin. Do ta bëjmë shumë më mirë se ai që është. Optimal për ju që të jetë në lartësinë tuaj spitali. Jeni super gra dhe vajza, ju e mbani në këmbë dinjitetin e Laçit. Se burrat janë një çik, e keni parasysh apo jo drejtor. I shaj, sa kam akoma po nuk i them…

Drejtori i spitalit: Burrat janë më shumë bashkëpunues në veri. Falë punës së këtyre grave dhe vajzave kemi qenë në nivelin on top.

Rama: Janë bërë më bashkëpunues? Imagjino të ikin këto në shtëpi e të vijnë burrat. Çfarë bën ti? Nuk i kam inat por duhet me i thënë gjërat siç janë se na lodhët të gjithë. Duhet dhe çik humor se më të gatshëm për objekt humori se burrat nuk ka.
Çerdhe, kopsht në një hapësirë, me hapësira të gjelbra. Të zgjidhet dhe problemi i atij kanalit që përmbyt.
Do bëhet një projekt i madh për Laçin, me faza. Spitalin do e bëjmë shpejt dhe me teknologji të re, antisizmike, gjithçka. Unë besoj që deri në fund të pranverës do e bëjmë spitalin e ri, ja deri në qershor. Por besoj se 6 muajt e parë do e mbyllim. Do e bëjmë model. Detyra juaj t’iu mësoni burrave se kur bëhet fëmija do 9 muaj. Mësojeni se çfarë heq një grua për ta çuar fëmijën në jetë se ata nuk e kuptojnë. E dinë se janë partnerë të barabartë në jetë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb