Udhëheqësi i qendrës mjekësore në Rusi, Aleksei Tokarev, ka thënë se rezultatet e testeve laboratorike kanë përjashtuar mundësinë e helmimit të politikanit opozitar, Aleksei Navalny.

Tokarev, ka thënë më 31 korrik se në mostrat e marra nga Navalny më 29 korrik, “nuk janë gjetur substanca helmuese”.

Kritiku i Kremlinit, që aktualisht është burgosur për 30 ditë, meqë ka organizuar protestë fundjavën e kaluar, është dërguar në spital më 28 korrik në gjendje jo të mirë, çka ka rritur shqetësimet se ai ka qenë viktimë e tentimeve për ta helmuar.

Navalny është liruar nga spitali një ditë më vonë dhe është transferuar sërish në burg, duke thënë se dyshon që mund të jetë helmuar në burg.

Marshi i 27 korrikut është mbajtur në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të zyrtarëve zgjedhorë në Moskë, të cilët kanë refuzuar që të regjistrojnë disa kandidatë të pavaruar dhe ata opozitarë, për zgjedhjet e deputetëve të rinj të këtij qyteti më 8 shtator.

Personat që fitojnë më së shumti vota do të mbikëqyrin buxhetin e Moskës në vlerë të 43 miliardë dollarëve.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kanadaja dhe grupet për të drejta të njeriut kanë dënuar atë që e kanë cilësuar si përdorim të “tepruar” të dhunës kundër protestuesve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb