Derbi i kryeqytetit, Partizani-Tirana do të zhvillohet mbrëmjen e së shtunës në orën 19:45, në stadiumin “Elbasan Arena”, e vlefshme për javën e 33-të në Kategorinë Superiore.

Të kuqtë kërkuan që derbi të luhej në “Air Albania”, por ishte UEFA që nuk e lejoi një gjë të tillë, sepse fusha mund të dëmtohej. FSHF ka bërë me dije se më pas Partizani nuk ka pranuar që ndeshja të luhej as në stadiumin “Selman Stërmasi” për shkak të gjendjes së fushës, por këtë version e kundërshton klubi i kuq.

Në një reagim për “Panorama Sport”, klubi i Partizanit bën me dije se FSHF nuk i ka lejuar as në “Selman Stërmasi” për shkak se mungon rrethimi dhe ka rrezik për përplasje të tifozëve:

“Ne e duam derbin në ‘Air Albania’, por nuk e lejon UEFA.

Në ‘Selman Stërmasi’ nuk na lejon FSHF për arsyen se është prishur rrethimi i fushës dhe kanë frikën e përplasjes së tifozëve.

Në të vetmen ndeshje ku mund të kemi të ardhura duhet të shkojmë në Elbasan gati-gati pa tifozë”, deklaroi për gazetën drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama.

Derbi i fundit që është luajtur në Elbasan, i përket janarit 2021 kur të kuqtë fituan 1-0 dhe asokohe trajner i Tiranës ishte Nevil Dede.

Tashmë është bërë traditë që kjo sfidë e kryeqytetit të luhet në Elbasan.

Në tri derbet e këtij sezoni, dy herë ka fituar Tirana, ndërsa në takimin e tretë ndeshja u mbyll në barazim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb