Seria televizive nga Koreja e Jugut, “Squid Game”, është bërë seriali më i shikuar i të gjitha kohërave në Netflix, duke arritur 111 milionë shikues në mbarë botën. Në kronikën në vazhdim ju sjellim hollësi të fenomenit ‘Squid Game’.

Nga mesi i shtatorit, kur seriali koreano-jugor “Squid Game” u publikua në Netflix, më shumë se 132 milionë njerëz në mbarë botën kanë filluar ta shohin atë, sipas agjencisë Bloomberg.

Asnjë program i kompanisë Netflix nuk ka fituar popullaritet për një kohë kaq të shkurtër.

Seriali me nëntë episode flet për një botë ku lojërat e fëmijëve bëhen vdekjeprurëse. Njerëzit e zhytur në borxhe garojnë për të fituar një shumë të madhe parash, por në këto lojëra, humbësit vdesin.

Megjithëse me një skenar të errët, seriali ka marrë vëmendje të madhe.

“Squid Game del në treg, disa njerëz e shohin, disa e lënë për më vonë. Pastaj fillon të bëhet e madhe, diskutohet në emisionet e mbrëmjes në televizion,Shumë shpejt të gjithë kolegët në punë flasin për të. Shumë prej nesh mund ta gjejmë veten tek ideja e serialit, ajo e të qenit në prag të një katastrofe ekonomike dhe mënyrën se si përballemi me të“, thotë Robert Thompson nga Universiteti Syracuse.

Entuziazmi amerikanë për serialet e huaja është diçka e re.

“Për shumë kohë, amerikanët njiheshin për kokëfortësinë e tyre për të ndjekur prodhime të huaja. Ne i eksportonim filmat dhe muzikën tonë, por pranonim shumë pak nga ana tjetër. Mendoj se e kemi përmirësuar qëndrimin amerikan ndaj këtyre gjërave”, thotë zoti Thompson.

“Squid Game” nuk gëzon popullaritet vetëm në ShBA dhe Kore të Jugut, por në mbarë botën. Një furrë në Pekin ka filluar të përgatisë biskota sheqeri, të ngjashme me ato në serial.

“E pashë serialin dhe mu duk shumë interesant. Më së shumti më pëlqeu pjesa me biskota. Kemi shumë klientë të rinj që e duan serialin, të cilëve po u ofrojmë biskota si në film”, thotë Hao Jing, pronare e furrës.

Në Moskë, vizitorët e një kafeneje koreane mund të luajnë lojën me biskota sheqeri, e ngjashme me atë në serial. Ata duhet që duke përdorur një gjilpërë të gdhendin formën e duhur pa e copëtuar biskotën.

“Detyra ime është që të ndëshkoj ata që humbasin. Kemi një dënim me piper. Loja zgjatë vetëm dhjetë minuta dhe ne sigurohemi që secili lojtar të ketë vetëm dhjetë minuta”, thotë Nuslima nga Chick O’rico Café.

Ende është e paqartë nëse do të ketë një sezon të dytë të serialit “Squid Game”, pasi as krijuesit dhe as Netflix nuk janë shprehur për këtë. Por, ndërsa përfitimet e Netflix kanë arritur shumën e rreth 900 milionë dollarëve, të paktën financiarisht, vazhdimi ka kuptim. /VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb