Sri Lanka nga sot sërish ka hapur kufijtë për turistët, pas thuajse dhjetë muajsh mbylljeje për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Në të dy aeroportet e ishullit kanë vazhduar fluturimet me kapacitet të plotë, përfshirë edhe fluturimet komerciale. Sipas masave të reja epidemiologjike, turistët janë të obliguar që të testohen për koronavirus 72 orë para nisjes, kur të arrijnë në Sri Lankë dhe përsëri pas shtatë ditësh.

Ata doemos duhet të qëndrojnë në zonën e quajtur “tullumbacë pasagjerësh”, që përbëhet prej 14 zonave turistike dhe nuk guxojnë të përzihen me popullatën lokale.

Turistët mund të qëndrojnë në rreth 180 hotele. Ky është vazhdim i pilot projektit të filluar më 26 dhjetor të vitit të kaluar, kur 1.500 turistë nga Ukraina vizituan Sri Lankën në kuadër të “tullumbacës së tillë pasagjerësh”.

Autoritetet e mbyllën vendin për turistët muajin mars të vitit të kaluar, duke i mbyllur edhe aeroportet përveç një numri të caktuar të fluturimeve që kthenin banorë të Sri Lankës.

Turizmi është dega kryesore për sektorin ekonomik të Sri Lankës, pasi përbën rreth pesë për qind të produktit të brendshëm bruto, duke punësuar 250 mijë njerëz në mënyrë direkte dhe tre milion të tjerë në mënyrë indirekte. Hotelet, bizneset e tjera dhe punonjësit e tyre përballen me humbje të të ardhurave.

Sri Lanka deri në tetor ka pasur më pak se 4 mijë të infektuar me koronavirus, kur u regjistrua një klaster në një fabrikë veshmbathjesh dhe tregu për peshq, që solli deri te përhapja e virusit në kryeqytet dhe vendet përreth. Deri tani janë konfirmuar më shumë se 55 mijë raste dhe 274 vdekje nga COVID-19.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb