Ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, David Cameron po zhvillon një vizitë në Kosovë ku po mban edhe takime me krerët politikë.

Në një konferencë për mediat ai tha se ndodhet në Prishtinë për të mbështetur, promovuar dhe ndihmuar shtetin e Kosovës në të gjitha mënyrat që mundet.

Ai shtoi se tabiliteti në Ballkanin Perëndimor është shumë i rëndësishëm dhe Britania e Madhe ka investuar 45 milionë paund këtë vit për këtë çështje.

“Mendoj se një nga gjërat që kam dëgjuar se është kaq e rëndësishme është rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kjo është diçka në të cilën Britania po investon me 45 milionë paund këtë vit. Është diçka shumë e rëndësishme për interesin tonë kombëtar. Dhe unë mendoj se diskutimet që kemi pasur përshtaten në një model më të gjerë që është siç shohim sot në lajme. Ne jetojmë në një botë me pasiguri të madhe, paqëndrueshmëri të madhe, një botë me konflikte të mëdha dhe është koha kur vende si Britania duhet t’i mbështesin miqtë tanë, të punojnë ngushtë në aleancat tona të rëndësishme”, tha ai, duke shtuar se duhet investuar në stabilitet dhe progres. “Ljo është arsyeja pse ne duan të vazhdojmë dhe kjo që po bëjmë në Kosovë do të vazhdojë”, tha Cameron.

Cameron ka mbërritur në Prishtinë mbrëmjen e djeshme, ndërsa ka takuar kryeministrin Albin Kurti.

Ndërkohë sot ka zhvilluar takim me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Në konferencën e përbashkët me ministren Gërvalla, Cameron u shpreh se ndodhet në Prishtinë për të shprehur mbështetjen, ndihmën dhe promovimin nga Britania e Madhe për shtetin e Kosovës.

“Ne folëm këtë mëngjes për sigurinë dhe rëndësinë e kontributin që mund të japim në këtë drejtim, duke pasur parasysh edhe rolin e madh që kemi në kuadër të KFOR-it”, tha ai.

Cameron bëri të ditur se kanë folur edhe për trajnimin e disa pjesëtarëve të FSK-së në Britani, çështjet ekonomike, luftimin e korrupsionit, etj.

“Ne jemi mbështetës të fuqishëm të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës….”, tha ndër të tjera, ministri britanik.

 

Ndërkohë ministrja e Jashtme u shpreh se në takim ka falenderuar homologun e saj britanik për mbështetjen e dhënë për Kosovën, para dhe pas luftës.

“Vura në pah edhe rolin qendror që ka pasur Mbretëria e Bashkuar në ndaljen e gjenocidit të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës në vitin 1998 dhe 1999. Kosova për këtë do të jetë mirënjohëse përjetë”, ka deklaruar Gërvalla.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb