Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Stacioni i fundit”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Gjatë aksionit të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2, policia ka arrestuar dy të rinj, të cilët kanë tentuar të transportojnë me makinë, me qëllim shitjen, doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Gjithashtu, policia ka sekuestruar lëndë narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Stacioni i fundit”, gjatë të cilit është goditur 1 rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike, në doza.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– E. B., 21 vjeç, dhe H. C., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Në rrugën “Isuf Elezi”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, kanë lokalizuar automjetin me drejtues shtetasin E. B. dhe pasagjer shtetasin H. C.

Shtetasit E. B., gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje.

Sipas verifikimeve të kryera ka rezultuar se lënda narkotike i përkiste shtetasit H. C. dhe se shtetasi E. B. do kryente transportin e saj.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin lëndën narkotike, e ndanin atë në porcione të vogla, të cilat më pas i shisnin në zona të ndryshme të Tiranës.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarive kriminale të kryera nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb