NGA ARTAN RAÇA*

Duke qenë se dua që ky shkrim të lexohet i gjithi si një histori ashtu si edhe e fillova ditë më parë, po e vazhdoj ekzaktësisht aty ku edhe arkitekt Casamonti e ka lënë, tek P.S.-ja në fund të artikullit të tij.

Më duhet të përgjigjem me pyetje për sa i përket mungesës së “syve” për të parë se përdorimi i qilimave jeshil te kulla “4everGreen” si qilima të kuq tek Stadiumi, qenka një karakteristikë e gjuhës tuaj arkitekturore dhe jo një përsëritje. Atëherë, a mos duhet të presim që në projektin tuaj tjetër në Tiranë të kemi një “4everBlue” me qilima dhe përsëri të thoni se kjo nuk është një përsëritje? Të më falni por këtu mendoj se nuk jemi në një çështje kulturore por në një çështje inteligjence, madje në një test të tillë. Ndërsa për projektin “Torre delle Arti” Milano, unë besoj se nuk ka të bëjë me gjuhën e të njëjtit autor, por me autoreferencialitetin konceptual të veprës, e cila ndodh në arkitekturë por duhet ta pranojmë se kjo është cektësia më shqetësuese për arkitekturën dhe jo ajo e debatit mbi të. Sepse kjo cektësi ndikon direkt mbi jetën e qytetit dhe të qytetareve të tij, duke bërë të cekët nivelin e së bukurës e duke mos sjellë asnjë kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e kushteve të tyre. Por unë e di pse ndodh përsëritja: nga nxitimi, mungesa e kohës (që në këtë zanatin tonë, me sa e njoh është shumë punëprishëse), apo një lloj dembelizmi profesional i momentit, njëkohësisht bashkuar me lodhjen ndaj projektit, i cili çon në zbehjen e fantazisë, si dhe mungesa e respektit ndaj investitorit e qytetit. Janë këto të gjitha, apo njëra prej tyre, shkaqet që çojnë në zgjidhjen e shkurtër nga “4everGreen” në “4everRed” me të njëjtët qilima, por me ngjyra të ndryshme.

Unë mendoj se ky zanat si edhe pranohet botërisht ka rënë në krizë, sepse i anestizuar nga skizofrenia e ndërtimit dhe debatit brenda vetes, po e bën gjithnjë e më të cekët cilësinë e marrëdhënieve që duhet të krijojë me njerëzit, duke u bërë gjithnjë e më tepër i rrezikshëm. Vetë teorizimi larg problemeve të qytetit në territore sterile po e bën gjithnjë e më të pamundur dëgjimin e muzikës që këto qytete krijojnë vetë.

Sa për projektin, ajo që nuk merr vëmendje në përgjigjen e arkitekt Casamontit edhe pse jashtë kompetencës së tij, është çështja e garës, e pjesëmarrjes, që porositësit, nga njëra anë i jep luksin e përzgjedhjes, e nga ana tjetër nëse nuk e ka këtë mundësi është njësoj si ta detyrosh drejt një “sadomasohismi”. Unë nuk njoh në fushën e krijimit në natyrë dhe në arkitekturë mënyrë më të mirë për të shkuar drejt të përsosurës sesa “sasia”, që të jep mundësi në fillim të përzgjedhësh dhe pastaj të zgjedhësh. Një prototip që nuk ka kaluar në seleksion nuk mund të pretendojë të jetë më i miri.

Edhe ne që debatojmë tani jemi rezultat i përzgjedhjes. Por, i dashur mik, ti mund të më thuash se edhe Bosio e bëri këtë vepër pa konkurs. Po, e kuptueshme se Bosio ishte më afër pushtetit se të tjerët dhe për këtë, ajo (vepra) do të mbartë kurdo me vete dyshimin se nuk është më e mira, por, tani për tani, është e vetmja qe kemi dhe mund ta quajmë edhe të mbijetuar. Megjithatë, besoj fort se po të kishte patur konkurs, ne tani në Tiranë ndoshta do kishim një Casa del Fascio nga Terragni dhe jo Universitetin e sotëm të Bosio-s. Por, të siguroj se edhe në atë rast do e kishit shumë të vështirë të arkitekturonit Stadiumin; le që jam i sigurt që nuk do ishim fare duke bërë këtë debat por duke shijuar arkitekturen e Terragnit, apo pse jo dhe të Michelucci-t.

Tani po i marr edhe unë me radhë:
1. Arkitekt Casamonti e quan të gabuar dhe të vjetër nocionin e “mbipopullimit” në qytetin e ri europian dhe menjëherë më pas i referohet nocionit të “dendësimit” si një tendencë e qëndrueshme. Por, më duhet të them se “dendësimi” nuk është baras me “mbipopullim” që unë them. Ajo që unë kam vënë në gojë të Levi-Strauss është ekzaktësisht “mbipopullimi”, këto dy koncepte ai i dallon qartë dhe mendoj se edhe në italishte ekziston ky dallim, si në sasi dhe në ngjyrim dhe ky për mua nuk është një gabim kulturor por intelektual. Në rastin e Stadiumit nuk bëhet fjalë për dendësim por për superpopullim të zonës. Edhe një herë më duhet ta përsëris dhe nuk e kuptoj pse arkitekt Casamonti nuk e pranon se Brasini e Bosio e vunë në Periferi.

Unë nuk kundërshtoj dendësimin e qytetit (megjithëse duhet shoqëruar me një infrastrukturë perfekte komunikimi, përndryshe të kthehet ne bumerang), por mbipopullimin e tij dhe sidomos kur ky bëhet në mënyrë të çrregullt, pra një Qendër e superpopulluar dhe të tejngopur me aktivitete dhe të një Periferie të etur të lënë pas dore, si dy qytete të ndryshme të ndarë nga një mur Berlini i padukshëm. Po të dilni jashtë unazës së parë të Tiranës do keni mundësi ta konstatoni. Prandaj unë them se është një arsye më tepër që Stadiumi të ikë nga ai vend si një fillim që e mira të shpërndahet në mënyrë kapilare në qytet dhe kjo ndihmon qëndrueshmërinë, sepse nuk mund të funksionojë një pjesë nëse nuk funksionon e tëra, thoshte Khan.

Dhe, duke referuar sa u tha më sipër, arkitekt Casamonti interpreton keq citimin tim “se qyteti i së ardhmes”, pra, periferia gjendet rreth “qytetit të së tashmes”, pra, qendrës, ose qëllimisht e përdor në mënyrë metafizike të gabuar figuracionin për të thënë se nuk krijohet një trup i unifikuar. Është pikërisht kjo ajo që fraza ime kërkon të arrijë: domethënë se ajo që duhet të përbëjë punën e së ardhmes në arkitekturë duhet të jetë periferia, pra Fronti, që qyteti të arrijë unifikimin e vlerave. Ju thoni se na duhet një qytet i qëndrueshëm, ku arti e kultura të jenë bashkë (me vend), ku njerëzit të ecin në këmbë nga teatri te muzeu, nga universiteti te stadiumi. Po nëse këto i përqendrojmë vetëm tek Bulevardi Dëshmorët e Kombit sepse aty është vlera më e madhe e tokës, ata që janë në periferi, ku gjendja është e mjerueshme dhe të bukurën jo vetëm nuk e kanë por edhe nuk e kanë njohur kurrë, pra këta të shkretë, ku do të lëvizin në këmbë?

2. Arkitekt Casamonti bën një ngatërresë midis simbolikës makiaveliane të “sheshit” që përfaqëson njerëzit dhe “pallatit”që janë pushteti, që në Tiranën që jetojmë do të simbolizonte zënien e sheshit nga pallatet. Kjo është ajo që kam dashur të them dhe kaq. Këtë ai e anashkalon dhe e transporton në nivelin e analizës në hapësirë dhe kulturë.

Nga ana tjetër është e vërtetë që unë nuk mund të imagjinoj sheshin Signoria pa pallatin Governo, por nuk mund të imagjinoj se ju mund të propozoni që të vini një sfond prapa Loggia dei Lanzi se përndryshe në Firence do ishit non grata. Besoj se ju fiorentinët e keni ende të freskët propozimin e Isozakit për “Nuova Uscita della Galleria degli Uffizi” dhe hezitimin për zbatimin e saj, që nis që më 1998 dhe që po ta krahasojmë me problemin tonë do të dukej qesharak. Unë e di dhe e kam shkruar, që një shesh përbëhet nga ndërtesat që e rrethojnë dhe jo metrat katrorë të sipërfaqes, por nëse i lëvizim njërën apo disa nga to ai nuk është më sheshi që kishim, pra dhe as e njëjta dhomë-shesh Albertiane dhe më tej në rastin tonë, sheshi “Italia” do bëhej sheshi i Casamonti-t dhe jo ai i Bosio-s; këtu ndahemi, se unë dua të dytin.

Ndërsa argumenti se Stadiumi kërkon të korrigjojë gabimet e mëparshme, është një metodë që besoj nuk ka nevojë për kritikë se është e kritikuar që sapo ka dalë, një rregullim me botox mbi një gabim të mëparshëm me botox. Sipas kësaj logjike nëse edhe Stadiumi na del një gabim atëherë që të ristabilizojmë rendin e gjërave duhet të ngremë një mal betoni tjetër afër tij!! Ndërkohë që gjërat që na bëjnë keq thjesht prishen, kjo është logjika europiane.

3. Në këtë pikë arkitekt Casamonti më kritikon se unë ngatërroj idenë e perspektivës së de Chiricos të teorizuar si Memoria Dechirichiane me tapetin Hollivudian. Përsëri e vendosni rendin e gjërave si ju intereson. Nëse ju kuptoj mirë ju pretendoni se tapeti i kuq mes kolonave të rektoratit do na çojë në “Memorie” të de Chiricos, i cili për të qenë të vërtetë asnjëherë nuk e ka aprovuar transportimin e “arkitekturave“ të tij në aktivitetin projektues modern, duke e paralajmëruar si diçka të dështuar. Nuk e di pse ju e adaptoni atëherë? Kjo mund të thuhet edhe për Bosion, por qëllimi im nuk ka qenë fare të hyj në këtë analizë.

Arkitektura shpesh është më e lehtë të kuptohet, të nuhatet, apo të dëgjohet se sa të shpjegohet dhe kur e zura me gojë dhe e krahasova de Chiricon me kompleksin e Bosios doja të nënvizoja tërësinë e ndjenjave të këtyre shqisave që për mua quhet ATMOSFERË, kaq e thjeshtë është, pra kisha parasysh “atmosferën” qe krijon ky kompleks që më kujton de Chirico-n dhe më duket PARADOKSALISHT E BRISHTE dhe për këtë jam i bindur që çdo shtesë, qoftë edhe në sfondin e saj, do e dëmtojë rëndë dhe nuk jam dakord me ju dhe këtu mendoj se jeni ju kontradiktor. Unë gjykoj se të krijosh një “atmosferë” sot në arkitekturë është shumë e vështirë dhe ndodh rrallë, ku një në njëmijë ia del dhe është një nga ato “esencat” që jo të gjithë parfumet i kanë. Në epokën e sotme të sipërfaqësores, të histerisë informative, të dukjes dhe jo të brendisë, të lëvizjes dhe të përkohshmërisë, mua kjo më duket një gjë shumë e vyer.

Është ky parfum që bënte që këmbët të më shkonin vetë në vitet kur isha adoleshent e më mbrapa, kur bënim “xhiron” e darkës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kur të gjithë e ndërprisnin atë diku tek ish “Komiteti Qendror”, të shkoja tek ky shesh dhe ishte kjo aromë që më bënte të rrija aty me shoqërinë time, deri në orët e vona nganjëherë edhe pa folur me njëri tjetrin (che atmosfera!). Jam i sigurt se ishte kjo që në mënyrë të pandërgjegjshme më shtiu në mend të nisja rrugën si arkitekt, dhe këtë ia di për nder travertinit të Bosios. Prandaj e gjithë ajo që shoh në projektin tuaj edhe pse, e përsëris, mundohem ta shoh me sytë e mi të adoleshencës, nuk më bind.

Më duket sa e huaj edhe e parë, por mbi të gjitha më duket e madhe, shumë e madhe për atë kompleks, që në fakt, për ne është më i madhi dhe do bëhet më i vogli nëse do i vihet ajo masë që shoh në “rendering”. Do jetë njësoj sikur Kompleksin ta çojmë në Brobdingnag-un e Guliverit dhe Bosio me kompleksin e tij do i përkisnin një bote tjetër, një përmase tjetër, por mesa duket është e vërtetë ajo që thoni ju, që ëshë çështje “kulturore”.

Më poshtë mund të lexoni një pjesë të librit shkëputur nga WIKIPEDIA:

…”Gulliver esplora questa terra, una penisola attaccata all’ovest dell’America, i cui abitanti sono alti circa 22 metri, durante il suo secondo viaggio. Il re di Brobdingnag, dopo aver ascoltato le narrazioni di Gulliver riguardo ai governi europei, descrive gli europei come “la più pericolosa razza di piccoli odiosi parassiti che abbiano mai strisciato sulla superficie della Terra”.
Da questa parola è nato l’aggettivo brobdingnagiano, col significato di enorme, gigantesco, usato per definire sia persone che oggetti….”

Numri “22” është rastësi, po ju mund ta zëvendësoni edhe me 22000 tifozët në shkallët e stadiumit, që nuk e di a do ia hedhin sytë më shume travertinit të Bosios dhe si unë dikur, ndonjëri mund të nxitet të bëhet arkitekt, apo do bëjnë “selfie” te tapeti i kuq, pa e kuptuar fare se janë në perspektivën qendrore “Memoria dechirichina” me shpresën për tu bërë “movie star”?

3. Sa për vendndodhjen, që ju e mbroni se duhet të jetë si në planin origjinal të Bosios, mendoj dhe po e përsëris edhe një herë se ai vend nuk është më periferia e Tiranës së 1940-ës, por tashmë Centro di Gravita Permanente për qytetin dhe më tej, dhe ju vetë e thoni dhe pikërisht për këtë nuk mund të qasi një Stadium, sado i bërë mirë. Ju e dini se në klasifikimin poetik që i bën Paul Valery ndërtimeve, thotë se ka ndërtesa që heshtin, të tjera që flasin, e disa të tjera që këndojnë.

Unë mendoj, se ky stadium do të ulërasë. Prandaj le të ndërtohet më larg, për shembull në zgjatimin e bulevardit te ri dhe më duket se do i bënte mirë asaj zone, dhe nga ana tjetër stadiumi i vjetër i çliruar nga stresi për tu bëre “diçka” me nxitim (e thashë që në arkitekturë është punëprishës) jam i bindur se edhe pas një konkurrimi dhe sasie të madhe idesh, me qetësi do të mund të gjenim diçka se ç’mund të bëhet, një tip të përzgjedhur, “eccellent”, që të kishte konsensusin e të gjithë ne, edhe të Bosios, bile edhe të atyre që nuk kanë lindur ende. Unë mendoj se kështu qyteti do të kish fituar një betejë të vogël dhe të madhe, që do i përmirësonte pak jetën qytetarëve por më tepër do i rriste harmoninë dhe besimin se ky Qytet i goditur rëndë mund të bëhet.

E gjitha sa po debatojmë në fakt është e pavlerë për sa kohë për Stadiumin e Bosio-s është ulur gishti poshtë, por si një tifoz i futbollit që jam, i kësaj loje, të mrekullueshme, të zgjuar, inteligjente, që dikur luhej vetëm nën dritën e diellit dhe sot edhe të projektorëve, një lojë magjike sepse të bën të ëndërrosh bile deri në sekondën e fundit se mund të fitosh edhe përballë ekipeve që vlejnë qindra milionë, pra edhe unë do të shpresoj dhe ëndërroj që ky stadium të mos bëhet në atë vend, se do të ishte gabimi më i madh, së bashku me kullat Binjake dhe hotel “Sheraton” në këtë bulevard dhe kjo ka qenë nxitja që më shtyu për të shkruar e jo për të bërë polemikë bezdisëse. Në fund të fundit edhe fitorja e Davidit u vendos atëherë kur po dukej se po fitonte Golia. Por edhe nëse ndodh e kundërta unë përsëri do të shkoj në këtë stadium për të parë futbollin, por gjithmonë duke patur para syve stadiumin e travertintë të Gherardo Bosio-s.

*Replikë për arkitektin italian të stadiumit të ri Arena Kombëtare

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: