Stambolli është bërë gati për Mitingun madhështor të Demokracisë dhe Dëshmorëve. Në Sheshin “Yenikapi” të metropolit më të madh turk do të mbahet sot tubimi final i rojës së demokracisë, që populli turk vijon prej 24 ditësh që nga tentativa për grusht shteti për të cilën është akuzuar organizata guleniste (FETO) më 15 korrik.

Në miting pritet të marrin pjesë mbi 3 milion persona. Pjesëmarrës në këtë miting historik, që do të realizohet nën kujdesin e Presidencës së Republikës së Turqisë, janë gjithashtu Kryeministri Binali Yildirim, lideri i Partisë Republikane Popullore dhe kryetari i Partisë Lëvizja Nacionaliste.

I pranishëm në platformën e sheshit të mitingut do të jetë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë bashkë me të gjithë gjeneralët e tjerë të zinxhirit komandues.

Një pjesëmarrje e gjerë pritet gjithashtu nga bota e artit dhe e sportit. Autoritetet turke njoftojnë se për këtë tubim historik janë marrë masa sigurie të nivelit të lartë.

Në shesh dhe përreth tij do të jenë 15 mijë policë dhe 15 mijë forca sigurie të njësive të tjera.
Të gjithë qytetarët, që do të marrin pjesë në miting, do t’i nënshtrohen kontrollit fizik në 3 hyrjet kryesore të sheshit.

Sakaq, për personat me aftësi të kufizuara janë përcaktuar hyrje të veçanta, ndërkohë që transporti vajtje-ardhje në sheshin e mitingut do të realizohet me 7 mijë autobusë dhe me rrugë detare nga 12 pika të ndryshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: