Në përfundim të takimit trajneri i Partizanit Sulejman Starova është shprehur i keqardhur pasi sipas tij kishin humbur dy pikë duke parë zhvillimin e ndeshjes. Një lojë e cila foli për të kuqtë sipas numrit 1 të pankinës së Partizanit.

Ndeshja
“Skuadra më pëlqeu dhe jam i kënaqur, pasi iu përgjigj detyrave që kishim caktuar. Përgjegjësia e trajnerit është më e madhe se e të tjerëve, ndaj sot isha disi në tension. Më vjen keq që nuk fituam, por i tillë është futbolli. Them se lamë dy pikë, pasi ishim përgatitur për fitore. Nuk duhet të harrojmë që përballë kishim një ekip të fortë si Tirana.

Mirel Josa ka objektivat e veta dhe e sheh ndryshe ndeshjen. Unë kam keqardhje vetëm për 20 minutat e para dje, ku u gjendëm edhe për shkak të presionit nga tifozët. Më pas ishim dominues ne. Kam disa rezerva edhe për gjyqtarët për disa faulle dje, të cilat i kemi parë me qetësi në video. Megjithatë edhe arbitrat gabojnë, sikurse lojtarët apo trajnerët”.

Batha
“Batha i dha sinjalet që mbrëmë dhe sot ishte e pamundur të vazhdonte”.

Mazrekaj
“Shpresojmë të jetë në top formë për fazën e dytë. Atij i është bërë një dëm në operacionin e fundit që ka kryer”.

Ngjeshja e kalendarit
“Janë të gjitha mundësitë për të mos i sfilitur lojtarët, pasi kjo dëmton kampionatin dhe spektaklin. Ndeshje çdo tri ditë është normale të luhen një herë, por jo në vazhdimësi”.

Kukësi
“Është një skuadër e re me objektiva. E konsideroj pretendent serioz; ka pasur fat, por edhe ka luajtur mirë. Mendoj se është një kundërshtar i fortë”.

(er.ko/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb