Një studim i misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, vë në pah se 54 për qind e grave të anketuara në Kosovë, thonë se që nga mosha 15 vjeçare kanë përjetuar dhunë psikologjike, fizike ose seksuale, ndërsa rreth 29 për qind thonë të kenë përjetuar ngacmime seksuale. Këto shifra janë pjesë “anketës për mirëqenien dhe sigurinë e grave në Kosovë”, të realizuar me afro 2 mijë gra në Kosovë.

Në raport thuhet se “gati dy e treta e grave të anketuara (64 për qind) mendojnë se dhuna nga partnerët, personat e njohur apo të panjohur, është shumë ose mjaft e zakonshme dhe më shumë se një e katërta (27 për qind) mendojnë se është shumë e zakonshme”.

Raporti po ashtu tregon se gratë në Kosovë pajtohen me idenë se dhuna ndaj grave shpesh provokohet nga viktima dhe se dhuna në familje është një çështje private që duhet trajtuar brenda saj. “Vetëm një numër i vogël i grave të anketuara e kanë informuar policinë për atë që kanë konsideruar të jetë rast i tyre më i rëndë i dhunës në duart e partnerit aktual, partnerit të mëhershëm apo dikujt tjetër. Në veçanti, vetëm 2 për qind e grave raportuan për incidentin më të rëndë të dhunës nga partneri aktual në polici”.

Vlora Tuzi Nushi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për gratë thotë se në dy vitet e fundit, 11 gra dhe një vajzë janë vrarë kryesisht në shtëpinë e tyre dhe sipas saj dhuna ndaj grave dhe vajzave vazhdon të jetë e përhapur në Kosovë.

“Numri i rasteve të raportuara ende është shumë i ulët. Dhuna ndaj grave nuk është problem individual, ai na shqetëson të gjithëve dhe për atë arsye nuk duhet të mbahet në sferën private. Më e rëndësishmja, ne duhet të trajtojmë thelbin e problemit dhe kjo ka të bëj me stereotipet gjinore, normat sociale të vjetruara që mbështesin dhunën dhe vlerat e sundimit të burrave”, tha ajo. Bashkërenduesi i qeverisë së Kosovës kundër dhunës në familje, Naim Qelaj, tha se Kosova ka krijuar mekanizma efikas për mbrojtjen e grave nga të gjitha format e dhunës.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Megjithatë nga baza e krijuar e të dhënave për rastet e dhunës në familje, deri më tani janë 1 mijë e 700 raste të raportuara, do të thotë dhuna në familje është shumë e përhapur në familjet tona dhe është një dukuri shumë shqetësuese. Shteti nuk ka mbetur mbrapa me masat që duhet të ndërmerr me qëllim të luftimit të kësaj dukurie. Janë krijuar politika gjithëpërfshirëse për të parandaluar dhunën në familje. Kosova ka marr masa të ndryshme legjislative dhe masa tjera për të mbrojtur të gjitha viktimat e dhunës në familje”, tha ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se raporti nxjerr në pah dëshpërimin me pozitën e gruas, me dhunën që ushtrohet kundër gruas, me kërcënimet për mirëqenien dhe sigurinë e tyre në shoqërinë e Kosovës.

“Mostra e respondentëve, pyetjet, intervistat, kanë nxjerrë në pah të dhëna që kërkojnë debat e diskutime thelbësore në shoqërinë kosovare. Për më tepër, anketa që po e publikoni sot, nuk bën vetëm konstatimin e gjendjes, por kërkon shkaqet, analizon shkaqet dhe pasojat, si dhe jep rekomandime për të përmirësuar gjendjen. Po flasim për përmirësimin e pozitës së gruas në Kosovë, për fuqizimin e saj”, tha presidenti Thaçi.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Brathu, tha se dhuna ndaj gruas është dhunë ndaj shoqërisë. “Raste të dhunës ka edhe këtu në Kosovë, ku sipas Policisë së Kosovës gratë janë vrarë nga burrat e tyre dhe kjo është një çështje që e prek gjithë familjen”, tha ambasadori Brathu. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb