Një milion e tetëqind mijë euro të shpenzuara më së miri. Legia e Varshavës ka bërë një goditje fantastike me afrimin e Armando Sadikut në skuadër, duke qenë se të paktën deri në këtë pauzë të parë sezonale të sezonit 2017-2018, në Poloni, 26-vjeçari rezulton të jetë lojtari më efikas i skuadrës së tij, Legias së Varshavës.

Edhe pse ka luajtur më pak se të tjerët, sulmuesi i Kombëtares shqiptare është më rezultativi në studimin e bërë nga media vendase. Ai numëron 4 gola të shënuar dhe dy asiste për shokët e tij të skuadrës, duke përfshirë të gjitha kompeticionet e luajtura (kampionat, kupë e Superkupë Polonie, ashtu sikurse prezenca në eliminatoret e Ligës së Kampioneve dhe “play-off”-et e Ligës së Europës) dhe të gjitha këto në 11 prezenca që përkthehen në vetëm 568 minuta.

sadikutabela

Kjo të bën të kuptosh sesa mirë dhe shpejt është ambientuar Sadiku në skuadrën e tij të re. Ndoshta, kjo konfirmon edhe njëherë tjetër se pse ai është paguar dhe është bërë nga kjo verë lojtari i huaj më i shtrenjtë, jo vetëm i Legias së Varshavës, por edhe i të gjithë historisë së kampionatit polak, duke shpërblyer më së miri investimin e bërë.

Sadiku, edhe pse në 11 prezenca ka grumbulluar vetëm 568 minuta lojë, ka ditur që të lërë pas shokun e tij të skuadrës, Mikal Kusharczik, i cili numëron gjithashtu 4 gola, dy asiste, por të gjitha këto të realizuara në 12 prezenca dhe në një total prej 778 minutash (më shumë se 200 minuta të luajtura kundrejt shqiptarit). Lista vazhdon me emra të tjerë të rëndësishëm të ekipit, si Kasper Hamalainen (3 gola, 3 asiste në 12 prezenca dhe 772 minuta), apo edhe Guilherme (3 gola, 2 asiste në 12 prezenca)./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: