Një votim në asamblenë e një qarku të Pragës për të hequr një statujë të marshallit sovjetik, Ivan Konev, shkaktoi përplasje diplomatike midis Rusisë dhe Republikës Çeke.

Ministria e Jashtme e Çekisë thirri të premten në bisedë informative ambasadorin rus, për shkak të komenteve të një ligjvënësi në Moskë, të cilat e krahasonin kryetarin e qarkut Praga 6 – që ka votuar për heqjen e statujës – me nazistët. Ministria e Jashtme e Rusisë e kundërshtoi këtë vendim, duke thënë se “nuk do të kalojë pa përgjigje”.

Disa e shohin Konevin, forcat e të cilit kanë çliruar pjesën më të madhe të territorit të Çekosllovakisë në Luftën e Dytë Botërore, si zbatues të rregullave sovjetike në Evropën lindore dhe qendrore, për shkak të rolit që ka luajtur pas konfliktit.

Statuja e komandantit ushtarak sovjetik është përdhosur disa herë – herën e fundit më 21 gusht, në përvjetorin e pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë, më 1968. Por, të tjerë e respektojnë dhe shpesh vendosin lule pranë saj.

Presidenti çek, Millosh Zeman, i cili ka marrëdhënie të ngushta me kreun e Kremlinit, Vladimir Putin, tha se statuja duhet të mbetet në vend dhe e kritikoi propozimin e kryetarit të qarkut Praga 6, Ondrej Kolar, për largimin e saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: