Stefi Prifti në programin e fundit bëri një rrëfim të rrallë për bashkëshorten e tij të ndjerë Marina.

Ai rrëfeu se ata janë njohur kur ishin ende studentë, ku ajo ka qenë një studente e shkëlqyer për gjuhë-letërsi ndërkohë që ai ishte student i Institutit të Lartë të Arteve.

Takimi i parë i tyre ka qenë në Qytetin Studenti, ku në pallatin studenti zhvilloheshin aktivitete të ndryshme kulturore. Ai kujtoi se edhe Marina e donte shumë muzikën ndaj kishte shkuar aty së bashku me dy mikeshat e veta, ndërkohë që Stefi performonte me “Grupin Studenti” dhe ishte këngëtari kryesor për 2 vjet. Gjithçka mes tyre ka nisur nga një bisedë rastësore, dhe që më pas u kthye në një dashuri të madhe.

Më vonë ata emigruan në Greqi, ku vitet e para kanë sakrifikuar shumë, por më pas kanë bërë një jetë të mirë. Fryt i dashurisë së tyre janë dy vajzat, dhe ai theksoi se kanë qenë një familje e lumtur dhe kanë kaluar shumë mirë.

Ndërkohë kanë kaluar 6 vite që nga largimi i bashkëshortes së tij nga jeta, dhe për Stefin këto kanë qenë vite shumë të vështira, “Vite me një mbingarkesë dhe me një peshë të madhe mbi supe, për të cilat duhet të përgjigjesha edhe pse nuk isha i përgatitur. Sëmundja erdhi krejt papritur dhe e mori shumë shpejt”.

Mes emocioneve ai tha se i është dashur t’u qëndrojë pranë vajzave të tij, dhe mendon se ia ka dalë. Më tej shtoi se i është dashur të bëhet edhe nënë edhe babë. “Por një burrë nuk mund të bëhet dot kurrë nënë”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb