Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i shpreh ngushëllime familjes së ish-Presidentit shqiptar, Bujar Nishani, për ndarjen nga jeta të ish-Kreut të Shtetit Shqiptar.

Në telegramin zyrtar, Presidenti gjerman thekson se është pikëlluar shumë nga ndarja e parakohshme nga jeta e ish-Presidentit Nishani, teksa thekson se kishte shpresuar që ai të shërohej sërish.

“Për ne në Gjermani zoti Nshani do të mbetet në kujtesë si një president tejet i vlerësuar. I pavarur dhe besnik ndaj parimeve ai mbrojti vlerat evropiane dhe i shërbeu vendit të tij”, shkruan mes të tjerash Presidenti gjerman.

Postimi i publikuar nga ambasada gjermane në Tiranë:

Në një telegram zyrtar, Presidenti Federal Frank-Walter Steinmeier i shprehu ngushëllimet Presidentit të Republikës së Shqipërisë për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Presidenti Federal shkruan:
Zoti President,
me tronditje të madhe mësova për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Z. Bujar Nishani.
Sëmundja e rëndë e z. Nishani dhe trajtimi i tij ne repartin e kujdesit mjekësor intensiv në Berlin më kanë prekur thellë. Kisha shpresuar fort, që zoti Nishani do të shërohej sërish e do të kthehej në gjirin e të afërmve të tij. Ndaj kjo ndarje e tij tepër e parakohshme nga jeta më pikëllon edhe më shumë.
Për ne në Gjermani zoti Nshani do të mbetet në kujtesë si një president tejet i vlerësuar. I pavarur dhe besnik ndaj parimeve ai mbrojti vlerat evropiane dhe i shërbeu vendit të tij.
Dëshiroj t’ju shpreh juve dhe bashkëkombasve tuaj pjesëmarrjen time më të thellë në dhimbjen tuaj. U shpreh ngushëllimet e mia familjarëve dhe miqve të zotit Nishani. Ndaj me ta dhimbjen në këtë kohë të vështirë dhe u jam pranë me mendime. Lutem përcillini familjes së të ndjerit ngushëllimet e mia.
Duke përkujtuar në heshtje

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb