Parisi dhe Berlini presin nga Kievi dhe Moska progres të vërtetë për të zgjidhur konfliktin separatist në lindje të Ukrainës, me një konsolidim të armëpushimit dhe përparime politike, njoftoi sot në Paris shefi i diplomacisë gjermane.

“Ne po takohemi në një fazë kritike të aplikimit të marrëveshjes së Minskut për procesin e paqes”, deklaroi Frank Walter Steinmeier pak para një mbledhje katërpalëshe me homologun francez, Jean Marc Ayrault ukrainas, Pavlo Klimkine dhe rus, Sergei Lavrov.

“Ne duhet realisht të përparojmë, fillimisht në konsolidimin e një armëpushimi dhe së dyti në rifillimin e një procesi politik”, tha ai.

“Gjermania dhe Franca presin nga Kievi dhe Moska, që të dyja palët të angazhohen këtu, këtë mbrëmje. Duhet të ketë një pregres të vërtetë”, theksoi Steinmeier.

Të nënshkruar në vitin 2015 në kryeqytetin bjellorus falë ndërmjetësimit franko-gjerman dhe në prani të presidentit rus, Vladimir Putin, marrëveshjet e Minskut parashikojnë një armëpushim si dhe disa masa politike, ekonomike dhe sociale për të mbyllur konfliktin ukrainas ku kanë vdekur më shumë se 9 000 persona. Por negociatat prej disa muajsh janë në një pikë të vdekur.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: