TIRANË- Pas kritikave të deputetit Tom Doshi, kryeministri Edi Rama duket se ka thirrur në një takim disa deputetë të Partisë Socialiste, Paulin Sterkaj, Arben Ndoka, Pjerin Ndreu, Arben Çuko, Piro Lutaj.

Në një komunikim për mediat, deputeti i Shkodrës Stërkaj mohon të jetë folur në këtë takim për pakënaqësitë e shprehura nga Tom Doshi. Ai thotë se me kryeministrin kanë pasur një takim normal, që ka ndodhur edhe herë të tjera.

“Jemi takuar me kryeminstrin, për performancën e qeverisë nuk u fol, nu pati debat. Ne jemi deputetë, nuk jemi ministra, e kemi pasur këtë takim historikisht, ishte takim normal dhe i radhës”,- tha Stërkaj.

Ndërsa në lidhje me ndryshimet në qeveri, Stërkaj është shprehur se ato i takojnë të votëbesuarit të tyre, pra kryeministrit Rama.

“Ne i kemi dhënë votëbesimin kryeminstrit dhe qeverisë ndryshimet i sheh vetë ai”.

“Ne në vazhdimësi bëjmë mbledhje grupi, problemet që kemi i themi aty. Është si një familje, edhe brenda saj nuk mund të thuash që nuk ka probleme”, – arsyetoi më tej deputeti i Shkodrës.

KRITIKAT E DOSHIT
Deputeti socialist Tom Doshi i mëshoi dje më fort idesë për të bërë ndryshime në qeverinë “Rama”. I pyetur nga gazetarët pas një mbledhjeje të Komisionit parlamentar të Ligjeve, Doshi konfirmoi vërejtjet e një dite më parë në grupin parlamentar të PS-së, por sqaroi se ato janë shqetësime që vijnë nga baza e partisë. “Unë nuk kam ndonjë ankim për vete, unë çdo gjë e lidh me ankimet që ka baza. Komunikimin e kam shumë të mirë me ministrat, por shqetësimet janë në bazë, se baza është lënë pas dore”, u shpreh Tom Doshi dje. Në lidhje me mundësinë e ndryshimeve në qeveri, Doshi tha: “Për ndryshime dihet që ka ardhur koha, se shumë ministra janë konsumuar”. Ndërkohë, një ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar, Doshi kërkoi praninë e kryeministrit Edi Rama, për t’i thënë vërejtjet e tij. Doshi kërkoi një analizë për punën e qeverisë, duke shprehur kështu edhe opinionin e disa kolegëve të tij deputetë. “Unë mendoj se duhet bërë një analizë e thellë e qeverisë, sepse ka ministra që kanë performancë shumë të dobët. Qeverinë duhet ta analizojë grupi parlamentar, ai që e ka votuar. Por, këta ministrat tanë nuk i begenisin më deputetët, madje nuk u hapin as telefonin, sepse u duhen deputetët vetëm për fushata që të mbledhin vota”, mësohet të ketë thënë Doshi në mbledhje. Sipas tij, ata ministra që nuk kanë mbështetjen e grupit parlamentar duhet të ikin.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: