Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i ftuar në rubrikën “Opinion”“News 24”, foli mbi stërvitjen e NATO-s në Shqipëri, e titulluar “Defender Europe 2021”.

Kjo për Peleshin nuk është thjesht një stërvitje, por edhe një tregues i qartë i marrëdhënieve të mira që ka Shqipëria dhe SHBA, si një nga aleatët kryesorë të saj, por do të thotë shumë dhe në aspektin financiar, pasi do të rriten të ardhurat në strukturat ushtarake.

Gjithashtu ai komentoi dhe donacionin e SHBA për Shqipërinë, e cila sot i dhuroi vendit 29 automobila të blinduara ushtarake, që do të përdoren në këtë stërvitje galoponte.

“Një ditë pas zgjedhjeve zhvillohet stërvitja “Defender Europe 2021”. Do të kemi një fluks të madh ushtarakësh të marrë nga shumë vende, ndaj kërkon shumë angazhim. Kemi një partner që siç e dini është serioz, si SHBA. Janë marrë të gjitha masat që ky event të japë mesazhe pozitive. Kjo ka dhe lidhje me të ardhmen tonë. Tregon se kush është aleati që Shqipëria do të mbështetet sot dhe përgjithmonë. Stërvitja do të nisë në mes të majit deri në mesin e muajit qershor, në disa lokacione. Nga Shqipëria do të marrin pjesë 900 forca ushtarake. Ashtu sikundër edhe një infrastrukturë e jashtëzakonshme do të vijë nga jashtë. Do të jetë një mundësi e artë për të testuar kapacitetet tona ushtarake, ashtu siç e përmenda që janë duke u pasuruar me kontribute në NATO, por edhe nga buxheti në rritje i shtetit, se si vend anëtarë të NATO-s do të rriten investimet në fushën e mbrojtjes. Donacioni i SHBA, 29 automobilat e blinduara, janë fjala e fundit për teknologjinë. Ato do të përdoren gjatë stërvitjes. Donacionet e SHBA kanë një domethënie pozitive. Janë paketë e plotë, nuk janë vetëm ata që shohim dhe preken, por edhe trajnimi dhe kujdesi i personelit për t’u kujdesur për to. Në të kaluarën kemi bërë gabime, kur kemi bërë një investim më të lirë, por na ka kushtuar më shtrenjtë”, tha Peleshi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb