Nga: JETON SELIMI*
Stipe Buljan nuk do të jetë më kapiteni i Laçit, por as edhe lojtari i kurbinasve. Mbrojtësi kroat i dha lamtumirë skuadrës me të cilën fitoi dy herë Kupën e Shqipërisë në tri sezonet e fundit. Është vetë 31-vjeçari që e bëri të ditur “lamtumirën” me anë të një postimi në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, madje në gjuhën shqipe, të cilën Buljan e flet dhe e shkruan shumë mirë. “Pas pesë vitesh në Laç kam vendosur që ka ardhur koha për ndryshim! Unë luajta sezonin tim të fundit me Laçin. Të gjitha ndeshjet i kam luajtur me dëshirë sikur të ishte ndeshja e parë. Në pesë vite kemi luajtur tri herë në Europë dhe kemi fituar Kupën e parë në histori, ku ishte dhe momenti më i bukur imi. Unë kam jetuar tri vite në Laç dhe jam ndjerë si laçian”, shkruante në postimin e tij Buljan. Mbrojtësi kroat dha arsyet që e shtynë atë të largohej nga Laçi, madje pa luajtur as në ndeshjet eliminatore në Europa League, atje ku kurbinasit do të luajnë për të katërtën herë në histori. “Po, vendosa të largohesha nga Laçi. Pas pesë vitesh është e natyrshme që ishte koha për të thënë ‘goodbye’ dhe të kërkoj një sfidë të re. Gjithsesi, nuk do të luaj në kampionatin kroat, por shumë larg nga Kroacia. Kam disa oferta nga vende të ndryshme, por është shpejt të them emra. Kur të vendos, do të bëj të njohur edhe emrin e skuadrës”, tha për ‘Sportal.al’ nga Kroacia, lojtari që tani mund të konsiderohet si ish-mbrojtësi i Laçit. Një nga destinacionet e mundshme mund të jenë Emiratet e Bashkuara Arabe, atje dhe ku futbollistët, por edhe trajnerët kroatë kanë një emër të mirë, madje ish-trajneri i Dinamos, Zlatko Daliç u shpall kampion me Al Ain, por edhe në kampionate të vendeve të tjera në Lindjen e Mesme e që marrin pjesë në Champions League të Azisë.
Skënderbeu
Skënderbeu ka filluar menjëherë nga puna për të vendosur nën kontratë futbollistët kampionë të sezonit të kaluar. Leonit Abazi dhe Bajram Jashanica janë dy lojtarët e parë që kanë firmosur marrëveshjen e re me klubin korçar, duke konfirmuar vazhdimësinë me kampionët e Shqipërisë. Të dy shqiptarët e Kosovës kanë firmosur për dy vite të tjera me klubin bardhekuq me të drejtë rinovimi dhe për një tjetër vit. Abazi luan prej vitit 2013 me korçarët, ku erdhi nga Drita e Gjilanit dhe në total ka zhvilluar 23 ndeshje për korçarët, duke shënuar madje dhe një gol në ndeshjen e 23 shkurtit kundër Kukësit, të vlefshme për javën e 23-të të Superiores, ndërkohë që Jashanica ka ardhur gjithashtu në të njëjtën periudhë te Skënderbeu, ndërsa sezonin e shkuar u huazua dhe te Besa e Kavajës. Rinovimet me Abazin dhe Jashanicën vijnë pas largimeve të Diego Martins dhe Aco Stojkov, dy futbollistë që i zgjidhën në mënyrë konsensuale kontratat me klubin korçar.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: