SERBI

Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 nuk ishte kundër popullit të Jugosllavisë, por për të mbrojtur civilët në rajon dhe më gjerë. Kështu është shprehur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë për Tanjug.

“Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë të kaluarën, por ne mund të shkojmë më tej dhe kjo është ajo që NATO dhe Serbia po bëjnë sot si partnerë”, mendohet të ketë thënë Stoltenberg.

Kujtojmë që në 20 vjetorin e sulmeve të NATO-s, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës Veriatlantike, Jens Stoltenberg.

Në letrën e Haradinajt mes tjerash thuhet se populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s.

“Veprimi i vendosur i NATO-s para 20 viteve ndali aksionin gjenocidal mbi popullin e Kosovës. Ky intervenim u bazua mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Sot Kosova është shtet, i këtyre vlerave pa dallim dhe e vendosur në rrugën e integrimit euro-atlantik. Populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s”, ka shkruar Haradinaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb