Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, ka mirëpritur vendimin për konfirmimin me burg të përjetshëm ndaj kasapit të Bosnjës Ratko Mlladic.

Ai ka shkruar në një postim në “Twitter” se është e drejtë që Mlladic mbahet përgjegjës për krimet e tij të egra kundër civilëve, përfshirë vrasjen e mijëra burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995.

“NATO ndihmoi për t’i dhënë fund dy luftërave etnike në Ballkanin Perëndimor në vitet 1990 dhe për të mbyllur një kapitull të errët dhe të turpshëm në historinë evropiane. Rajoni mbetet strategjikisht i rëndësishëm për Aleancën tonë. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke promovuar paqen dhe pajtimin”, ka shkruar Stoltenberg.

Ish-udhëheqësi i ushtrisë serbe të Bosnjës Ratko Mlladic, i njohur me nofkën “kasapi i Bosnjës”, do të vuajë dënimin e tij të përjetshëm pasi një apel ndaj dënimeve të tij për krime lufte u refuzua të martën.

Mlladic, 79, u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2017 pasi u shpall fajtor për gjenocid për mizoritë e kryera gjatë luftës në Bosnje nga 1992 deri më 1995.
Vendimi i së martës përfundon gjyqin e fundit të madh për krimet e luftës në Ballkan përpara një gjykate të Kombeve të Bashkuara.

Kasapi i Bosnjës u akuzua për dy akuza për gjenocid dhe nëntë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte për rolin e tij në konfliktin në ish-Jugosllavi, ku 100.000 njerëz u vranë dhe 2.2 milionë të tjerë u zhvendosën. Ai u shpall i pafajshëm për një akuzë për gjenocid, por u shpall fajtor për secilën nga 10 pikat e tjera.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: