Kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin nënvlerësoi forcën dhe trimërinë e popullit të Ukrainës dhe forcave të saj të armatosura.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, foli në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut në seancën e Ministrave të Mbrojtjes, ku ishte i ftuar dhe ministri i Mbrojtjes së Ukrainës.

“Ka pothuajse një vit që kur Rusia ka nisur pushtimin e saj të plotë të Ukrainës dhe luftën e paligjshme të agresionit, e cila ka sjellë vuajtje të patregueshme për popullin e Ukrainës, ka shkatërruar paqen në Evropë dhe ka prekur njerëzit në mbarë botën përmes krizës së ushqimit dhe energjisë. Presidenti Putin bëri dy gabime të mëdha strategjike. Ai nënvlerësoi forcën dhe trimërinë e popullit të Ukrainës dhe forcave të saj të armatosura. Dhe ai nënvlerësoi unitetin dhe vendosmërinë e NATO-s dhe partnerëve”, tha Stoltenberg.

Sipas tij, aleatët e NATO-s po ofrojnë mbështetje të paprecedentë për Ukrainën për të ndihmuar në ruajtjen e të drejtës së saj të vetëmbrojtjes.

“Dhe që nga fillimi, ne kemi punuar shumë ngushtë me Bashkimin Evropian, të vendosur për të mbështetur Ukrainën për aq kohë sa duhet. Sot do të diskutojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme, e cila është thelbësore për të ndihmuar Ukrainën të mbizotërojë si një shtet sovran i pavarur dhe për të mbështetur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, tha ai.

Gjithashtu, kreu i NATO-s përcolli ngushëllimet për të gjithë viktimat e tërmetit në Turqi.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb