Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se nuk është e mundur të ofrohet siguria për Evropën pa Turqinë e cila ka një rol kyç në luftën kundër terrorizmit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim në institucionin “German Atlantic Society” në Gjermani, Stoltenberg ka theksuar se vendet jo-anëtare të Bashkimit Evropian (BE) luajnë një rol të rëndësishëm në sigurinë e Evropës.

Stoltenberg tha se mirëpret përpjekjet e vetë Evropës për të përmirësuar aftësitë e saj të mbrojtjes dhe shtoi se kjo do të forconte NATO-n nëse ajo bëhet në një mënyrë që forcon marrëdhëniet transatlantike.

Ai ka tërhequr vëmendjen se pas ndarjes së Britanisë nga BE, 80 për qind e mbrojtjes së NATO-s do të përballohet nga vendet jo-anëtare të BE-së.

Turqia po lufton kundër destabilitetit në Irak dhe Siri, tha Stoltenberg, duke theksuar se “nuk është e mundur të ofrohet siguria për Evropën pa vende të tilla si Turqia e cila ka një rol kyç në çështjen e luftës kundër terrorizmit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb