Shkëlqen në fushë, por edhe jashtë saj. Thomas Strakosha është një nga lojtarët e momentit te Lazio. Portieri i talentuar shqiptar, i cili ka spikatur me paraqitjet e tij fantastike në dy sfidat e fundit të skuadrës bardhekaltër në Serinë A ndaj Milanit dhe Empolit ishte nga 4 futbollistët e përzgjedhur nga Lacio për të marrë pjesë në eventin e bamirësisë të mbajtur në qytezën e Amatriçes mbrëmjen e së mërkurës.

Strakosha në këtë event bamirësie që u organizua për t’i ardhur në ndihmë qytezës së rrënuar nga tërmeti që goditi së fundmi Italinë, u shfaq në një version ndryshe.

Në eventin ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, portieri shqiptar së bashku me shokët e skuadrës Parolo, Prce dhe Kataldi bëri kamerierin, një profesion, të cilin, për një natë Strakosha e realizoi shumë mirë. Në këtë mbrëmje Strakosha me shokë firmosën autografe ndërsa u shitën edhe shumë fanella të Lacios.

Federico Marketi vazhdon të jetë i dëmtuar, me Strakoshën që do të aktivizohet sërish si titullar këtë fundjavë në sfidën ndaj Udinezes. Nëse vazhdon me këto ritme 21-vjeçari shqiptar ka shanse të mira për ta ulur përfundimisht në stol Marketin edhe kur italiani të rikthehet nga dëmtimi.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: