Thomas Strakosha nuk e sheh Federiko Marketin si rival për vendin e titullarit te Lacio. Përkundrazi, portieri shqiptar ka një miqësi të ngushtë me italianin dhe të dy e kanë shfaqur vazhdimisht afërsinë me njëri-tjetrin.

Marketi e ka lënë pas dëmtimin që e mbajti jashtë rreth një muaj dhe të mërkurën u rikthye në stërvitje me ekipin bardhekaltër, edhe pse nuk dihet nëse do të rikthehet mes shtyllave kundër Bolonjës në fundjavë.

Gjithsesi, Strakosha e ka mirëpritur shokun e tij me një postim në “Instagram”. “Mirë se u riktheve Fedelinjo”, shkruan 21-vjeçari në postimin që shoqëron një foto nga stërvitja.

Strakosha-Tweet

Një ditë më parë, Marketi zbuloi për mediat italiane se i kishte dërguar një SMS portierit shqiptar para ndeshjes me Milanin muajin e shkuar, e para për Strakoshën me ekipin e parë të Lacios.

“Çfarë këshillash i dhashë para ndeshjes? I dërgova një mesazh, i thashë që të rrinte i qetë dhe të bënte atë që di të bëjë, pasi është një portier i ri dhe me shumë cilësi. Jam i lumtur për paraqitjen e tij ndonëse nuk erdhi fitorja në atë sfidë. Por pastaj, në ndeshjet e tjera, ka treguar se është gati për Serinë A. Jam i lumtur për të”, tha Marketi.

Ndryshe ka qenë, ndërkaq, marrëdhënia mes Marketit dhe Etrit Berishës. Dy portierët flisnin rrallë me njëri-tjetrin dhe “betejën” mes tyre e fitoi italiani, me Berishën që u detyrua të huazohej tek Atalanta për të gjetur më shumë hapësira. /panoramasport/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: