Nga viti 2013 deri tani, shumëçka ka ndryshuar në larminë e kulturës ose është pretenduar se është ndryshuar. Megjithatë, vit pas viti, shumë prej asaj që në krye të herës shihej si sukses, përmes optikave të reja, ka gjetur udhën drejt problematikave. Së pari, nisi me emrin, por nga një ministri e dedikuar, u shkua drejt një ministrie që do e prekte suksesin në bashkimin e ekonominë. E kur sapo argumentet për të na bindur mbaruan, ministria u kthye në atë që kishte qenë para 2013-ës: turizëm, kulturë, sport.
Në 12 vite eventet janë shtuar, por jo cilësia, e ndërsa buxhetet kanë ndjekur vizionet e titullarëve, është prodhuar më shumë spektakël e PR se kulturë. Politikat për kulturën rezulton se ose nuk kanë qenë të mirëmenduara ose janë zbatuar keq, por rezultati i këtyre 12 viteve, mundet të ketë një ndikim negative edhe për dekadën e ardhshme. Një prej arritjeve të qeverive “Rama”, është cilësuar po prej tyre, pikërisht ligji i Trashëgimisë, i cili u miratua në amullinë e ditëve të protestës në mbrojtje të teatrit Kombëtar. Ndoca vite më pas, në të, ministri Blendi Gonxhja, gjen probleme në një takim që u njoftua si forum i hapur për të ardhmen e kulturës në Shqipëri.
“Ligji i trashëgimisë është aq i komplikuar dhe i ngurtë sa eksperti i UNESCO-S tha se ligji juaj i trashëgimisë e superon çdo imagjinatë e fantazi. Jemi në një pikë që nuk shprehim dot lirshëm atë që kemi, atë që jemi për shkak të vështirësisë së madhe që kemi me ligj”, tha Gonxhja.
Kritikat e ministrit për ligjin nuk prekin megjithatë një prej pikave më të kritikuara- dhënia e trashëgimisë kulturore për menaxhim, fondacioneve. Në kushtet e një Ministrie që nuk ka ende godinë për Bibliotekën Kombëtare, Galerinë Kombëtare, me Teatrin Kombëtar në një godinë të sajuar, me Cirkun në ekzil dhe me Muzeun Kombëtar në rikonstruksion, edhe ata që punojnë duket se po i shërbejnë prodhimit të ngjarjeve, jo të kulturës.
“Në një nga rrethet, po thoshin që kemi një program me kalamaj të cilin e mbledhim ditën e shtunë. Dalim foto, bëjmë një postim edhe ky është muzeu. S’po përmend emra qytetesh. Kjo është çfarë ofrojmë ne për edukimin kulturor muzeal në qytetet tona. Ata që edukojmë atje, do jenë nesër në këtë sallë që do jenë bosh ose do jenë duke bërë ndonjë dëm në shoqëri, ose do jenë duke bërë ndonjë dëm në komunitet sepse nuk kanë as rritjen, as fantazinë as analizën” , vijoi ai.
Dhe me 3 vite jetë, të promovuara si pothuaj një shpikje madhore, Javët Kulturore Ndërkombëtare, tani i bashkohen shportës së ngjarjeve që marrin buxhete që kultura do t’i kishte zili, – për paradë-, siç tha ministri.
“Tani do më falni se ju do thoni që ky mori kot. Po gjejmë Javë Kulturore Ndërkombëtare, një nismë e mirë. Në vitin e tretë të saj kthehet në një paradë shijesh, ambasadorësh e zyrtaresh dhe më vjen keq ta them këtë gjë. Nuk e kam me të gjithë ambasadorët, sepse nuk janë të gjithë njësoj. Po bëjmë një propagandë shtetërore, qoftë shqiptare, qoftë të partnerëve tanë të ambasadave, e cila kushton ku di unë: 1 milion e gjysmë euro apo 2 milion euro, për të kënaqur shijet e 4 vetave që janë me mandate të përkohshëm” -tha Gonxhja.
Pyetja që mbetet është pse paratë janë harxhuar si janë harxhuar?
“Pse i duhet dhënë një koncerti që shet bileta 100 euro buxhete me 500 mijë euro kur mund të bëhen aktivitete që kanë nevojë për mbështetje”, tha mes të tjerash ministri.
Për Gonxhen, strategjia e kulturës 2026-2030, duhet të fuqizojë institucionet kulturore, të mbështesë artistët dhe skenën e pavarur, të investojë në infrastrukturën kulturore dhe trashëgiminë kombëtare, të krijojë kushte dinjitoze për artin si profesion e burim të qëndrueshëm jetese.
