TIRANE – Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri është fotografuar me armë në brez, gjatë protestës kundër ndërtimit të parkut të lojërave tek liqeni.

Pas publikimit të pamjeve, Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se deputeti Strazimiri është pajisur me armë për shkak të detyrës, por ligji “Për armët” është shfuqizuar dhe ai duhet ta kishte dorëzuar atë deri më 25/03/2016, pranë Komisariatit Nr.3 në Tiranë.

Kësisoj, sipas Ministrisë së Brendshme, deputeti Strazimiri mbante në brez një armë të përfituar me anë të një ligji që është shfuqizuar. Rreth mbrëmjes polica e Tiranës e procedoi penalisht deputetin për “armëmajtje pa leje”.

Në një letër drejtuar Kuvendit dhe deputetit Gent Strazimiri, të firmosur nga shefi i komisariatit Elton Alushi, shkruhet: “Në zbatim të ligjit 74/2014 “Për armët” dhe letër-porosisë Nr.123 datë 26.02.2016 të Drejtorit të Përgjithshëm për Sigurinë Publike “për masat që duhet të merren dhe procedurat që duhen ndjekur nga strukturat vendore të policisë për zbatimin e ligjit 74/2014 “Për armët, si dhe ligjit organik, ju bëjmë me dije se:  Për shkak të detyrës jeni pajisur me armë të përfituar me Ligjin Nr.7566, datë 25.02.1992 “Për armët’”, i shfuqizuar, brenda datës 25.03.2016 të bëni dorëzimin e armës dhe municionit pranë Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë, pasi nuk jeni përfitues i mbajtjes së armës me ligjin Nr. 74/2014 “Për armët”.”

Ndërkohë në një reagim zyrtar për mediat, deputeti Gent Strazimiri sqaroi:  “Me armë në mënyrë krejt të paligjshme, me numra identifikimi të hequra qëllimisht, sot ishte ajo që nuk mund të quhet më “Policia e Shtetit”, dhe jo Gent Strazimiri! Arma e Gent Strazimirit nuk mbahet në brez! Arma e vetme e Gent Strazimirit, është dhe do të jetë ajo që ka qenë gjithmonë: denoncimi e përballja pa kompromis me këtë bandë kriminale që po sundon me urdhra kriminelësh e jo me ligje!”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: