NGA ORNELA MANJANI

Shtresat në nevojë do të marrin nga buxheti i shtetit në formën e interesave për kredi të buta dhe subvencione për qira 4 milionë euro. Shuma është parashikuar në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm. Nga fondi i 560 milionë lekëve, 120 milionë lekë do të investohen për projekte dedikuar rikonstruksionit të 185 banesave të komunitetit rom dhe egjiptian. Përfitues në këtë kategori janë rreth 740 qytetarë.

Ndërkohë, shuma prej 140 milionë lekësh do të shkojë për rehabilitimin e godinave ekzistuese të dala jashtë funksionit fillestar, me qëllim strehimin e shtresave në nevojë për 162 familje të pastreha. Ndërsa, rreth 280 milionë lekë janë fonde që duhen për mbulimin e shpenzimeve korrente për subvencionimin e interesave të kredive, me përfituese 4.300 familje, të cilat janë trajtuar me kredi me kosto të ulët, duke zvogëluar numrin e të pastrehëve në mbarë vendin.
Sipas planit afatmesëm të Ministrisë së Zhvillimit Urban, një vlerë prej 20 milionë lekësh do të jetë bonus strehimi dhe grant i menjëhershëm për 230 familje, të cilat nuk kanë asnjë alternativë tjetër strehimi. Buxheti i shtetit u siguron familjeve në nevojë banesë, duke financuar qiranë në treg të lirë në masën 50-100% të vlerës.

Për shlyerjen e kredisë së përftuar të banesës me kosto të ulët nga personat me aftësi të kufizuar dhe jetimët në masën 5-10% të vlerës së banesës. Sipas planit, 13 milionë lekë nga fondi i strehimit shkojnë për pagesën e qirave të familjeve që preken nga zbatimi i disa projekteve, siç janë projekti i rrugës transballkanike, në Vlorë, dhe projekti i Unazës së Madhe, në Tiranë, shpenzime që me Vendim të Këshillit të Ministrave duhen përballuar nga fondet e strehimit të parashikuara në buxhetet e çdo viti për MZHU-në. Përfituese do të jenë 174 familje.

Bonusi i strehimit
Bonusi i strehimit përfaqëson ndihmë nga shteti në masën 50% të qirasë më të ulët në tregun e lirë, i cili mbulon shpenzimet e familjeve në nevojë për strehim. Bonusi i strehimit jepet me miratim të Këshillave Bashkiak nëpërmjet fondeve të bashkisë, për çdo familje në nevojë për bonus. Sipas të dhënave nga Ministria e Zhvillimit Urban, nga programi “Përmirësimi i kushteve të banimit për komunitetin rom dhe egjiptian” në njësitë e qeverisjes vendore, i krijuar për herë të parë nga kjo qeveri, dedikuar kësaj kategorie shumë në nevojë, për vitin 2016 fondi i alokuar në vlerë 113.8 milionë lekë për këtë program është rritur me 25%. I gjithë fondi do të shkojë për investimin dhe zbatimin e projekteve për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom dhe egjiptian, nga të cilat pritet të përfitojnë 183 familje rome dhe egjiptiane, në disa bashki të vendit.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: