Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, ku në mbarë botën përkujtohen miliona viktima të gjenocidit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një rol të rëndësishëm për të shpëtuar hebrenjtë në ato vite e kanë luajtur edhe shqiptarët, të cilët strehuan në familjet e tyre shumë familje hebre që kishin ikur nga vendet e tyre. Vetëm në qytetin e Beratit u strehuar dhe u mbrojtën nga dhuna e genocidi më shumë se 600 hebrenj. Pikërisht sot në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit në muzeun kushtuar hebrenjve në Berat, muzeun “Solomon” u organizua një veprimtari përkujtimore ku krahas organizatorëve morën pjesë edhe drejtues të pushtetit vendor, deputetë, përfaqësues të partive politike e besimeve fetare si dhe pjesëtarë të familjeve që strehuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë ditë përkujtimore, u shpalosën edhe dëshmitë e disa familjeve beratase që kanë ndihmuar familjet e hebrenjve dhe i kanë strehuar.

Kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo e ka cilësuar muzeun hebre në Berat si një krenari më vete për qytetin. “Është një nga ato ditë kur ne si beratas e kemi për krenari që jo vetëm ti kujtojmë por edhe të ndërgjegjësojmë brezat e tij për ato vite të vështira. Në atë periudhë vendi ynë, pavarësisht problemeve dhe varfërisë në të cilën ndodhej, ka treguar një zemërgjerësi të jashtëzakonshme, duke na treguar të gjithëve se çfarë janë vlerat njerëzore universale”-,ka thënë kryebashkiaku Ervin Demo.
Një prej themeluesve të muzeut Solomon në Berat, Yzedin Hima ka deklaruar në fjalën e tij se populli shqiptar i mbrojti hebrenjtë sepse populli ynë e njihte mirë dhunën dhe genocidin. Hima ka deklaruar se, ky muze nuk ka pasur asnjëherë mbështetjen e duhur financiare ose me projekte nga ana e pushtetit vendor dhe atij qendror dhe kjo ka sjellë edhe dështimin e regjistrimit të shumë kujtimeve të atyre viteve.

Anëtari i bordit drejtues të muzeut Solomon, Gazmen Toska, theksoi detyrën e gjithsecilit prej nesh për ti ruajtur këto vlera të qytetit të Beratit dhe për ti promovuar ato. I pranishëm në këtë aktivitet ka qenë edhe drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Beratit, Tomor Alizoti, i cili vlerësoi kontributin e madh të beratasve, që rrezikuan jetën e tyre për të mbrojtur familjet e hebrenjve, duke mos dorëzuar asnjë prej tyre tek pushtuesit. Alizoti foli me admirim për gjestin fisnik të qytetarëve të Beratit dhe punën e mrekullueshme që është bërë në këtë qytet për themelimin e këtij muzeu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb