TIRANE – Ndërsa policia është vënë në kërkim të tij, pas arratisjes nga Komisariati i Policisë Nr.3 në Tiranë, këngëtari Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit “Stresi”, nuk ngurron të japë edhe intervista televizive. Përmes “Skype”-it, Stresi ka realizuar mbrëmjen e djeshme një intervistë me Arjan Çanin në emisionin “Zonë e Lirë”, ku deklaroi se ndodhej jashtë Shqipërisë dhe po bën përpjekje për të fituar azil politik në vendin ku ka shkuar.
INTERVISTA
Ku ndodhesh në këto momente gjeografikisht?
Aktualisht ndodhem rreth 3-­4 mijë km larg Tiranës.
Çfarë ndodhi atë ditë? Pse të kapi policia deri në momentin kur ike dhe u hodhe nga kati i dytë?
Kjo ikje nuk ka qenë nga frika dhe ti Arjan më njeh mirë, por kjo ka qenë më shumë një revoltë e imja. Stresi nuk ka qenë shofer i automjetit, por një shoku im që është i gatshëm të dëshmojë në prokurori. Kam qenë në koncert dhe më pas jam ndjekur nga një makinë, nga civila. Në momentin kur jam ndaluar nga forcat e policisë nuk kam konsumuar alkool. Gjatë shoqërimit në komisariat mua nuk më është bërë asnjë raport shoqërimi, as nuk jam pyet dhe as kam qenë person i ndaluar për çështje penale. Nuk e di kush ka ndërhy për këtë çështje. Ky është një diskriminim ndaj artistit.
Po thua të vërtetën?
Veçse të vërtetën.

Ku ishit kur ju ndaloi policia?
Pak metra larg Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Jemi ndaluar nga shumë forca policie. Unë në fakt kam shumë respekt për policinë.
Të shoqëruan bashkë me shokun tënd?
Po. Nuk e kuptoj… në Shqipëri po shkelen njerëzit me këmbë.
Ti thua që nuk ke qenë as në timon?
Jo, jo. Në momentin kur jam ndaluar nuk kam qenë në makinë.
Ma shpjego si u hodhe nga kati i dytë gjatë arrestimit?
Po pija një cigare në katin e dytë. Në momentin që po bëheshin ato verifikime, kaloi ora e mëngjesit. Unë kisha avionin për të ik, kisha për të ik në Zvicër dhe ishte shumë e padrejtë që unë të rrija në Komisariatin numër tre. Ajo ishte një revoltë e imja personalisht. Ky shtet po na fut në burg për dokumente për patenta, nuk e kuptoj.
Babai juaj ka thënë se arrestimi yt ka qenë për motive politike.
Edhe kryeministri ka qenë këngëtar. Ai është piktor dhe me anë të pikturës shpreh revoltën e vet dhe unë kam deklaruar publikisht me anë të muzikës time që nuk jam me këtë parti. Është revolta ime.
…Stresi në këtë studio në një farë mënyrë ka paralajmëruar arrestimin e tij.
Arjan, dua të ndërpres. Në momentin kur unë kam dhënë atë intervistë,mamaja ime është larguar nga puna në “Albkontroll”. Është diskriminim
komplet kjo që po ndodh. Në asnjë shtet të botës nuk ndodh.
Në “Facebook” kishe bërë një status kur flisje për lirinë…
Unë jam një djalë i revoltave ndaj këtyre padrejtësive…
Ti mendon se je komplet i pafajshëm?
Sa jam unë i pafajshëm ja kam lënë organeve të shtetit.
Por ti e di që tani je në kërkim nga policia?
Për momentin po.
Ti e di që për shkak të largimit tënd janë tre policë të arrestuar?
Më vjen keq, unë se kam dash këtë.
Të futën në biruc?
Ishin gati për të më fut në biruc, në momentin kur më thanë hiq lidhësen e atleteve dhe rripin, i kam thënë të lutem më lini të pi një cigare dhe në atë moment kam vepru.
Po ku dole që pive një cigare? I madh je…
U hodha nga kati i dytë Arjan, pa parë poshtë se çfarë kishte…
Nuk pate asnjë dëmtim në këmbë kur u hodhe? Atje është beton.
Unë jam robinhud ore. Ne rrepistat, artistat jemi njerëz të përgatitur, është diçka e padrejtë.
Veprimi jot mund të interpretohet në disa mënyra…
Momenti ose të ndëron ose të ngel. Mua gjithmonë më ka falënderu dhe falënderoj Zotin.
Si do t’ja bësh për t’u kthyer?
Kjo do të zgjidhet shumë shpejt. As kam vjedh e as jam marrë me një vepër penale.
O Stres, a mendon se për një çast në një farë mënyre ke turpëruarministrin e Brendshëm Tahiri dhe kryeministrin Rama. Ata me siguri kanë ulur kokën dhe i është shtuar inati ndaj teje. I ke turpëruar Stres dhe tani që ata thonë që po luftojnë krimin, ato fabrikat e drogës dhe papritur i ikën një këngëtar reper nga kati i dytë…
Aq bujë është bë çështja ime saqë… inteligjenca shqiptare duhet të jetë tek trafiku e jo komplet çështja duhet të kthehet tek unë.
Duke qenë se ti ke dëshmitar që nuk ke qenë vetëm në makinë…
Po, po, kam dëshmitar. Tre shoqe dhe piloti që ka qenë në timon se nuk e di se si e kanë anashkaluar pilotin… dmth nga pasagjer mua më kanë fut pilot ore.
Kanë qenë tre femra në makinë?
Po tre shoqe.
Po ato kush ishin?
Shoqet e mia.
Të lezetshme?
Shumë të bukura.
O Stres, se nuk rri dot pa të pyetur edhe për këtë pjesë. Ato janë të gatshme të dëshmojnë edhe për këtë?
Arjan, ju e dini shumë mirë që rrethi im i ngushtë është i gatshëm të bëj çdo gjë për mua dhe të dëshmojnë përveçse të vërtetës.
O Stres, kam një pyetje tjetër. Për deri sa situata erdhi deri këtu, pyetja ime është serioze.
Edhe unë shumë serioz jam (qesh)
Një sekond, mund të qeshim sa të duam, por unë kam një pyetje. Ti me the që ndodhesh 3­4 mijë km larg Tiranës. Ndodhesh në jug apo në veri të Shqipërisë?
Të them të drejtën harta gjeografike tregon se kam kaluar shumë kufij, jam diku në Europë.
Nëse disponon këto dokumente, a do të kërkosh azil politik?
Azili sapo më është pranu.
Në ç’kuptim të është pranuar azili?
Do të thotë që unë do të integrohem në rrethana të tjera.
Do kërkosh të jesh azilant politik në vendin ku ndodhesh?
Normalisht që po.
Nuk do kthehesh në Shqipëri?
Do rikthehem në Shqipëri sepse kam vendin tim, por do pres gjithmonë organet e shtetit, prokurorinë se çfarë do të ndodhi me mua.
Si arrite të kalosh kufirin?
Normalisht, paqësisht. Falënderoj të gjithë ata njerëz që më kanë përkrah,shoqërinë time.
Si ke kaluar i ke dhënë pasaportën policit në kufi?
Jo, jo. Kjo punë s’ka të bëjë fare me kufijtë. Në momentin që ka ndodh puna e komisariatit, në atë moment unë i kam hyp makinës dhe kam ik. Unë thash, robinhudi nuk ka kufij Arjan, është si shigjetë…
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: