*Stresi në arrati, seks, drogë dhe hip-hop
Prej gati një muaji, Stresi është i kërkuar nga polica shqiptare, pas arratisjes spektakolare që bëri nga Komisariati Nr.3. Duket se kjo nuk e ka penguar reperin që shpeshherë të jetë i pranishëm si në media, ashtu edhe rrjetet sociale. Foto, komente, por edhe premtime për një rikthim të shpejtë, janë ato çfarë na ka servirur këto kohë. Në këtë intervistë për “Vip Pages”, këngëtari rrëfen se po kalon shumë mirë në Gjenevë të Zvicrës, ku dhe ndodhet aktualisht. Stresin në këtë aventurë e shoqërojnë miqtë më të afërt, që janë shpërngulur nga Tirana dhe po jetojnë me të. Shprehet optimist teksa e pyesim për çështjen e tij, duke thënë se shpreson që të ketë fatin e ish-guvernatorit Fullani dhe të shpallet i pafajshëm. Nuk i mungojnë as femrat, me të cilat shpesh fotografohet i zhveshur. “Janë thjesht ‘one night stand'”, tregon për marrëdhëniet që ka krijuar jashtë Shqipërisë. Krahas pamjes prej një ‘bad boy’, jemi mësuar ta shikojmë edhe shumë të afërt me familjen e tij. “Janë forca ime më e madhe, një shtysë për mua”, tregon ai teksa flet për ta.

Stresi, si po ia kalon në arrati, si je?
Kaloj shumë mirë dhe mund të them me plot gojën që jam shumë i qetë këtu ku ndodhem. Nuk jam me pushime, unë po punoj. Po përgatis albumin tim të tretë, që e di se do të mirëpritet nga publiku im. Çdo gjë po shkon ashtu si duhet të jetë.
Ku je momentalisht, je më mirë sesa ishe në Shqipëri?
Unë jam në Zvicër, në qytetin e Gjenevës. Është një ndër qytetet më të bukura në botë, njëkohësisht edhe vendi më i shtrenjtë në Evropë. Këtu po kënaqem, por në Shqipëri është më ndryshe. Tirana është tjetër gjë, plus që është vendi ku jam mësuar tashmë të jetoj, ndaj dhe ndryshon koha që po kaloj këtu me ditët e mia në Tiranë.
Me kë jeton në Gjenevë?
Nuk jam vetëm, edhe pse larg njerëzve të dashur. Kam marrë me vete të gjithë djemtë e lagjes, që jetojnë me mua. Ndihem komod dhe i rrethuar nga miq. Nuk më kanë braktisur, edhe pse në arrati.
Ndërkohë ti ke lançuar edhe këngën tënde të radhës. A mendon se, duke qenë i arratisur ke pasur më shumë sukses si këngëtar?
Jam shumë i kënaqur që kënga ime e radhës është pëlqyer. Në fakt, tashmë publiku këngët e mia i di përmendësh dhe kjo më gëzon si artist. Edhe kënga e radhës ka pasur një sukses të paparë. Nuk besoj se kjo ka lidhje me të qenët në arrati. Të gjitha këngët e mia, këtë impakt kanë pasur.
A të kanë mbështetur prindërit në këtë që po bën, a të kanë thënë ata të dorëzohesh?
Kush është ai prind që, çfarëdo që të ndodhë, nuk e mbështet fëmijën e tij?! Normal, edhe ata si gjithë të tjerët duan që unë të qëndroj sa më larg problemeve. Ndonjëherë kjo thjesht nuk është e mundur, megjithatë, dua të them se kam mbështetjen e tyre në çdo gjë që bëj. Janë forca ime më e madhe, një shtysë për mua.
Duket se po kalon mirë në Zvicër; pak ditë më parë qarkulluan fotot e tua i zhveshur, në shoqërinë e një femre…
Unë zhveshur rri në shtëpi vetë gjatë gjithë kohës, nuk është se nuk jeni mësuar me të tilla foto nga unë. Është pjesë e së përditshmes sime.
Ajo vajza, ishte shqiptare apo zvicerane?
Nuk e mbaj mend faktikisht se nga ishte vajza e fotos, sepse edhe në foto nuk kishte dalë me fytyrë. Ishte një flirt, një ‘one night stand’.
Pra mund të themi se Stresi në Zvicër: drogë, seks dhe hip-hop?
Patjetër që po! Jo vetëm kaq, por edhe duke peshkuar lekë madje. Jo duke i numëruar, por duke i peshkuar këto lekë.
Krahas fotove me femra, postove dhe një foto me armë. E mban afër armën edhe aty, ndihesh i kërcënuar?
Nuk kam arsye pse të ndihem i kërcënuar. Arma që ju të gjithë patë në foto nuk ishte e vërtetë. Ishte një pistoletë lodër që e përdora sa për një foto. Nuk mbaj armë me vete.
Si po ecën çështja jote, beson se do të mbyllet shpejt?
Unë jam shumë i gëzuar për guvernatorin Fullani që u lirua. Dhe, dëshiroj shumë që të dal dhe unë i pafajshëm. Shpresoj dhe besoj se kjo do të ndodhë shumë shpejt; gjithçka po shkon drejt zgjidhjes.
Kur do të rikthehet Stresi?
Për të gjithë fansat e mi, unë jam prezent nëpërmjet muzikës që bëj, nuk u kam munguar kurrë. Stresi do të rikthehet shumë shpejt. Ky është një premtim për të gjithë!

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: