Arkimed Lushaj flet për herë të parë nga Tirana pas arratisjes së tij të bujshme nga Komisariati Nr. 3.
Më 1 qershor thotë se shkeli për herë të parë në Shqipëri që pas arratisjes së tij. Por policia tha se rezultonte ende person në kërkim, dhe kjo ishte arsyeja pse u shoqërua në komisariat të dielën e zgjedhjeve vendore, ndërsa ai ndodhej pranë një qendre votimi pranë gjimnazit “Partizani”.

Për qëndrimin 2 orë e gjysmë në Komisariatin Nr.4 dhe në ç’fazë është çështja e tij me drejtësinë, i rrëfen për herë të parë në këtë intervistë për gazetën “Panorama”. Të dielën e zjedhjeve vendore, efektivë të Policisë së Tiranës të shoqëruan në Komisariat për dy orë e gjysmë kur ti ndodheshe në një qendër votimi.

Si e përjetove?
Unë u verifikova në Komisariatin Nr.4, pasi u pashë në qendrën e votimit këtu në lagjen time, pranë shkollës “Partizani”. Ishte një formalitet që e bën çdo komisariat, për faktin se unë rezultoj person në kërkim për ta. Për mendimin tim, ishte thjesht një lojë nga ana e tyre, e tipit “Hajt ta kapim Stresin! Unë e dija shumë mirë që do të liroheha pas dy orësh, dhe ashtu ndodhi… Jam shumë i gëzuar që jam prapë i lirë!
Kur shkele për herë të parë në Tiranë, që pas arratisë?
Shkela në Tiranë për herë të parë më 1 qershor. Me të ardhur u paraqita menjëherë pranë Prokurorisë, ku u mor vendimi për t’u gjykuar në gjendje të lirë. Erdha, siç premtova më parë, se do kthehesha shumë shpejt në Tiranë…
Po gjykohesh në gjendje të lirë, por çfarë pret që drejtësia të vendosë për fatin tënd? Momentalisht po gjykohem në gjendje të lirë. Po pres datën e seancës gjyqësore që do të mbahet më 1 korrik, ditë kur unë do të prezantohem para gjyqtarit Arben Micko. Jam i ndërgjegjshëm për atë çfarë ka ndodhur dhe pres penalizimin, pra atë çfarë drejtësia do të vendosë për mua. Telashet me policinë të kanë prishur punë, apo ndoshta kanë ndikuar pozitivisht në karrierën tënde si reper?
Personalisht nuk më kanë prishur ndonjë punë të madhe telashet me policinë, veçanërisht historia e fundit. Thjesht kanë qenë shkëputjet e mia larg familjes e larg njerëzve që më duan që i kam përjetuar disi. Më shumë punë, besoj, arratisja ime u ka prishur policëve, për të cilët më vjen shumë­ shumë keq, që u larguan nga detyra për shkakun tim. Por ja që ndodhi dhe s’mund ta kthej dot më mbrapsht. Ndaj shpresoj që Zoti të jetë me ta! Mua si Stresinjo thjesht më është bërë marketing nga mediat. Duket sikur e ke qëllim në vetvete të sfidosh policinë si në filmat aksion. S’e kupton dot jetën pa përballjen me ta?
Nuk mund ta thotë asnjë polic, uniformë blu që mua më shohin me sy të keq. Ata e dinë se sa respekt kam unë për policinë, pasi e ndiej të imponuar nga im atë, që gjithmonë policia duhet të nderohet dhe respektohet, pra të zbatoj çfarë ata më thonë. Disa policë më shohin me sy të mirë e disa me sy të keq dhe, ata që më njohin, më shohin ashtu siç jam unë në të vërtetë. Ata që më shohin me sy të keq nuk më interesojnë fare, pasi e di që janë poshtë meje. Nuk kam asgjë me ta, thjesht dëshira për pak aventurë më ka çuar në situata të tilla…
Kjo është arsyeja pse ti shpesh i thyen rregullat?
Patjetër që rregullat duhen zbatuar rreptësisht, si qytetarë të këtij shteti. Por si Arkimed jam i lindur i tillë që të thyej rregullat… Gjithsesi, e kam thënë se Arkimed Lushaj s’është asnjëherë person me rrezikshmëri të lartë. Jam thjesht një djalë lagjeje, që bëj muzikë të mirë dhe njerëzit më duan shumë për këtë. Renditem ndër më të preferuarit në Shqipëri. Koncerti mbrëmë te Lollipop ishte i pari në Tiranë pas arratisë.
Si ka shkuar karriera këta muaj që ke qenë në kërkim?
Karriera ime muzikore po shkon shumë mirë, aq sa ka kaluar parashikimet e mia. Pres të lançoj një nga krijimet e mia më të forta, që ende s’është bërë publik. Jam shumë mirë, i qetë dhe i qeshur si gjithmonë, tipik Stresinjo i skenës. Koncerti mbrëmë në Tiranë ishte i pari pas ngjarjes, ndërkohë që kam pasur koncerte në Kosovë në kohën që isha në kërkim në Shqipëri. Në Lollipop këndova me Morena Tarakun, një nga femrat më të bukura dhe më të shtrenjta të momentit në skenë. Tirana dhe fansat që kam, po presin me padurim perfomancat e tjera të miat.
Çfarë bashkëpunimesh ke planifikuar për më tej?
Bashkëpunimi i radhës nuk dihet, pasi ato lindin krejt rastësisht. I sigurt është bashkëpunimi i dytë me Morena Tarakun.

(ma.ar/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: