Nga: GERILINA KODHELI*
TIRANE – Është një nga reperët më të diskutuar, jo vetëm sa u takon këngëve të tij, por mbi të gjitha për sjelljen e tij trasgresive. Stresi prej muajsh tashmë është në qendër të vëmendjes për shkak të problemeve me policinë. E për hir të së vërtetës, reperi nuk bën asgjë për t’iu shmangur telasheve, përkundrazi… Një foto e fundit e tregon Stresin teksa pozon me një qese të madhe me lëndë narkotike, foto që në fakt duket se është një sfidë e hapur ndaj policisë. Megjithatë, siç tregon në këtë intervistë, Stresi nuk frikësohet, përkundrazi. Ai e quan foton artistike, si e gjithë bota e lirë. I pyetur nga “Bluetooth” për vajzën në fotografinë që nuk lë vend për dyshime, reperi nuk mohon lidhjen, ndërsa shprehet se, “E shkuara ime mbahet mend, rëndësi ka çfarë do bëj në të ardhmen”.
Stresi, je duke përgatitur një projekt të ri. Na trego ndonjë detaj për këngën, kush e ka punuar, cili është titulli dhe fabula e saj?
Kënga është ende në proces pune dhe do lançohet në shtator. Do jetë një këngë solo dhe kam punuar me më të mirët, të cilët nuk mund t’i zbuloj për momentin, por normalisht do t’i mësoni emrat e tyre shumë shpejt. Stresinjo u kthye!
Pak javë më parë keni publikuar këngën me titull “Nuk jam i asaj”. Pse zgjodhët Erik Lloshin për këtë bashkëpunim?
Nuk ishte zgjedhja ime, por ishte një kërkesë, mund të them nga studio, nga producenti Kledi Bahiti. Kishin nevojë për një reper që të ishte sadopak pjesë e këngës dhe pranova.
Je i kënaqur me suksesin e këngës?
Jam i kënaqur me punën që kemi bërë. Ndërkohë që jam më shumë i përqendruar për këngët në vijim.
Kemi parë një foto ku shihesh me një qese të madhe me hashash. Është kjo sfidë ndaj policisë?
Unë nuk kam parë asgjë, njerëzit shohin foto. Kjo nuk do të thotë asgjë, përveçse është një foto artistike, si e gjithë bota e lirë.
Nuk frikësohesh se meqë publikon foto me lëndë narkotike, mund të të vijë për kontroll policia në shtëpinë tënde?
(Qesh) Welcome home Boy’s (mirë se vini në shtëpi djem).
Ke menduar të bësh ndonjë fushatë për legalizimin e hashashit?
Jo, unë të legalizuar e kam. Ka ardhur koha që secili për vete.
Tani si i ke raportet me policinë?
Gjithmonë i kam pasur të mira dhe do t’i kem të mira. Ata janë në detyrën e shtetit, të rendit, për të zbatuar ligjin… Kështu që jemi OK.
Në një tjetër foto shihesh në krahët e një vajze dhe pozicioni lë pak vend për dyshime mbi raportin tuaj. Është e dashura jote? Jeni ende bashkë?
E shkuara ime mbahet mend, rëndësi ka çfarë do bëj në të ardhmen.
Ke të dashur për momentin?
Nuk do ta zbuloj vetë jetën time private. Nuk do merret vesh aq lehtë (qesh).
E ke provuar dashurinë? Me kë?
Kam qenë adoleshent. Nuk e kam provuar akoma të vërtetën.
Një foto e jotja me një kukull është komentuar si sulm ndaj Çiljetës. Ke ndonjë problem me të?
Jo. Disa manipulatorë të rrjeteve sociale, intrigantë të shtypit rozë, e kanë kthyer atë foto në sulm. Është diçka që nuk do ndodh kurrë, që dikush të luajë publikisht me fëmijën e dikujt. Çiljeta është një ndër shoqet, mikeshat më të mira të Stresit.
E ke parë klipin e ri të Çiljetës në bashkëpunim me Noizyn “Gangsta Love”? Çfarë opinioni ke?
Është “Cartoon Netwoork” (film i animuar), por Çiljeta ka dalë shumë bukur. Unë e kam marrë në telefon dhe e kam uruar për imazhin e saj, personalisht. Për të tjerët dihet, filma, filma… (qesh).
Pas klipit të ri, çfarë projektesh të tjera ke?
Turneun nëpër diasporë, na pret vetëm punë, qejf, udhëtime, e me radhë.
Mund të na japësh edhe një mendim të përgjithshëm për klipet e kësaj vere?
Kënga që më pëlqen është “Nallane”.
(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: