Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e 17 marsit strukturën e re të Autoritetit për Informim mbi dokumentet e ish-sigurimit të shtetit, ku përfshihet njësia e posaçme për të zhdukurit në diktaturë.

Projektvendimi “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 95/2016 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, u miratua me 85 vota pro, asnjë kundër dhe 21 abstenim.

Me dispozita të veçanta në ligjin organik 45/2015, i ndryshuar, dhe në zbatim të ligjit nr. 9802, datë 13/092007 “Për ratifikimin e Konventës Ndërkombëtare të OKB-së “Për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë”, Autoritetit iu dhanë kompetenca të shtuara dhe rol parësor:

-në bashkëpunimin me institucionet qendrore dhe vendore për procesin e identifikimit të trupave të atyre që u zhdukën ose u ekzekutuan gjatë komunizmit;
-në marrjen e masave për të mbrojtur dhe ruajtur në mënyrën më të përshtatshme vendet që janë aktualisht apo do të identifikohen si vendvarrime, ku legjislatori parashikon se rregullat e bashkëpunimit përcaktohen me marrëveshje dy apo shumëpalëshe, të lidhura për këtë qëllim midis palëve dhe sjell në vëmendje se, “Autoritetet përgjegjëse dhe mënyra e mbrojtjes dhe ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuara përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Për të realizuar këto detyra të shtuara është punuar gjerësisht me dokumentacion, kuadrin ligjor dhe marrëveshjet e bashkëpunimit, (me Policinë e Shtetit), si dhe me tryeza teknike ndërinstitucionale për koordinimin e përgjegjësive.

Proceset e punës që Autoritetit i janë caktuar me ligj zhvillohen gjerësisht në terren, dhe për to nevojiten burime njerëzore shtesë, të shoqëruara me kosto financiare, (deri janë mbuluar nga projektet e Autoritetit me partnerë).

Drejtoria e sapomiratuar për Marrëdhëniet Ndërinstitucionale në Procesin e Identifikimit dhe Rikuperimit të Personave të Zhdukur, me pesë punonjës, do të ketë si fushë veprimi bashkëpunimin ndërinstitucional për identifikimin dhe rikuperimin e trupave të të zhdukurve dhe të të ekzekutuarve dhe marrjen e masave për ruajtjen e vendvarrimeve, duke plotësuar çdo komunikim institucional të Autoritetit me autoritetet përgjegjëse dhe ndjekjen e projekteve të dedikuara, duke krijuar kësisoj një tablo të qartë të të gjithë veprimtarisë për të pagjeturit, përfshirë edhe aktorët e tjerë në këto procese, sa delikate, aq edhe humane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb