SHBA

Kryeministri Edi Rama shprehet kundër ngritjes së një strukture me ndërkombëtarë për reformën zgjedhore të propozuar sot nga opozita në tryezën e OSBE për ndryshimet në kod. Në intervistën e dhënë nga SHBA, Rama tha se duhet të adresohen të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe në një moment të dytë të ketë diskutime.

Ai deklaroi se strukturë ndërkombëtare dhe përkthyes në gjuhë të huaj për t’u marrë vesh me shqiptarët nuk ka për të pranuar asnjëherë.

“Unë nuk dua të bëj polemika dhe nuk dua t’u marr kohë shqiptarëve me avazin e kush e ka fajin, dua thjesht të them se tanimë është e qartë se ne na duhet të përshpejtojmë procesin e reformës bazuar në rekomandimet e OSBE-ODIHR. Të gjithë janë të mirëpritur për më shumë por rekomandimet e OSBE-ODIHR janë të qarta, janë të shkruara e zeza mbi të bardhë dhe ne do të ecim me to. Unë dua që ne të jemi në gjendje që një orë e më parë të përmbushim këtë kusht për Shqipërinë europiane, për të pasur datën e konferencës së parë mes qeverisë së Shqipërisë dhe të gjitha vendeve anëtare ku janë në tavolinë liderët e këtyre vendeve që është edhe hapi i parë i parë i formalizimit, i zyrtarizimit të procesit të negociatave. Kështu që me gjithë respektin për të gjitha idetë, për të gjitha dëshirat dhe ëndrrat e gjithsekujt ne procesin do ta përshpejtojmë dhe pse jo do ta ndajmë në dy pjesë. Pjesa e parë përmbushja e këtij kushti dhe garantimi i një ligji zgjedhor ë ka brenda të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe pjesa e dytë t’i japim kohë vetes që të diskutojmë për të gjitha aspektet e tjera dhe të dëgjojmë të gjitha kontributet, të gjitha idetë. Ne jemi partia e shumicës, kemi dhe ne idetë tona, kontribute për të dhënë përtej këtyre por në raport me BE-në duhen këto dhe në raport me zgjedhjet e ardhshme janë të domosdoshme. Pjesa tjetër është mbase e nevojshme por nuk është gjëja më e domosdoshme. Kështu që edhe ne kemi një ide që do ta çojmë deri në fund që është vota e shqiptarëve jashtë Shqipërisë dhe duam që ata të votojnë në zgjedhjet e ardhshme por kjo i mbetet pjesës së dytë të procesit, natyrisht para zgjedhjeve të ardhshme. Prioritet i prioriteteve tani është kalimi i të gjitha ndryshimeve në ligjin zgjedhor që kanë brenda të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Për këtë duhet dhe harmonizim edhe me OSBE/ODIHR dhe partnerët ndërkohë që strukturë ndërkombëtare dhe përkthyes në gjuhë të huaj për t’u marrë vesh me shqiptarët nuk kam për të pranuar asnjëherë”, deklaroi kryeministri.

Propozimi i opozitës për reformën zgjedhore është ngritja e një grupi të posaçëm për reformën, që përfaqëson drejt elektoratin shqiptar, në përbërje të të cilit të ketë edhe përfaqësues të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë.

“Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar”, tha sot përfaqësuesi i PD në tryezën për reformën zgjedhore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb