Një grup të rinjsh studentë nga vende të ndryshme të Evropës, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, kanë vendosur të bëjnë një dokumentar për vendin tonë, duke u përqendruar kryesisht në situatën aktuale shoqërore të të rinjve këtu. Sipas një videoje që kanë publikuar para realizimit të këtij dokumentari, ku prezantohet stafi, ata thonë se do të bëjnë një dokumentar rreth një vendi pak të njohur siç është Shqipëria, por ndërkohë kërkojnë ndihmë monetare për ta realizuar atë.

Ata do të udhëtojnë 21 ditë për të eksploruar kulturën shqiptare, historinë duke vizituar qytete shqiptare me rëndësi politike kulturore, historike për të treguar kështu sesa shumë ka evoluar një vend kaq i vogël deri më tani. Do të vizitohet gjithçka, nga malet e larta tek bunkerët, nga vendet e qeta në vendet e zhurmshme. “Nga na erdhi frymëzimi? Nga libri PSE i shkrimtarit shqiptar Sterjo Spase”, shprehet regjisori, i cili është një student shqiptar.

Regjisori Borin Shehu, ka shkruar një histori të shkurtër surrealiste rreth një çifti të ri që ka ngecur në një qytet kaotik, të paparashikueshëm që ndryshon nga dita në ditë, një vend ku e shkuara takohet me të ardhmen. Ideja kryesore që paraqet regjisori është ajo e arratisjes, duke e lidhur këtë me emigrimin masiv që ka përjetuar Shqipëria që prej kohës së komunizmit.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: