Rektori i Universitetit Luarasi, Et’hem Ruka deklaroi gjatë takimit në kuadër të projektit “CORE-ED Academy” i cili synon rehabilitimin e të miturve që kryejnë vepra penale, se viti akademik 2025-2026 do të nisë me tre programe të përbashkëta studimi me universitetin prestigjioz britanik, London School of Economics. Ruka tha se studentët do të marrin formimin te Universiteti Luarasi, por diploma me të cilën do të pajisen është e njëjta me atë që jepet në Londër.
Ruka e vuri theksin te ndërkombëtarizimi i universiteteve shqiptare, duke sjellë në vëmendje pikërisht marrëveshjen e Luarasit me LSE. “Për vitin akademik 2025-2026 fillojmë tre programe studimi të përbashkëta me London School of Economics, një nga shkollat më të mira në botë, studentët do ta marrin formimin në Shqipëri dhe të marrin të njëjtën diplomë që jepet në Londër”, vuri në dukje Rektori i Luarasit, Et’hem Ruka.
“Arsimi i Lartë në Shqipëri ndodhet para një sfide në fakt. Meqenëse jemi duke punuar shpejt për t’u bashkuar me familjen europiane, një ndër komponentët kryesorë është ndërkombëtarizimi i universiteteve tona. Unë besoj se ky projekt është një shembull i mirë i bashkëpunimit në radhë të parë rajonal. Ne universitetet e rajonit kemi nevojë të njohim njëri-tjetrin, të shkëmbejmë kurrikula, dhe ky është një shembull i kësaj natyre. Në përgjithësi i gjithë arsimi i lartë shqiptar po merr një kthesë të fortë për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Sapo janë miratuar politikat e arsimit të lartë deri në vitin 2030 ku janë targetuar një sërë problemesh thelbësore të arsimit të lartë në Shqipëri. Një ndër problemet kryesore është ndryshimi ligjor i arsimit të lartë në Shqipëri, në mënyrë që arsimi i lartë të bëhet më fleksibël dhe të jetë më afër standardeve europiane dhe të ecet me shpejtësi drejt ndërkombëtarizimit. Mund të them që sot në vendin tonë janë mbi 260 programe studimi që zhvillohen vetëm në anglisht. Edhe universiteti ynë ka hedhur një hap të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin dhe bashkëpunimin me universitete prestigjioze. Për vitin akademik 2025-2026 fillojmë tre programe studimi të përbashkëta me London School of Economics, një nga shkollat më të mira në botë, studentët do ta marrin formimin në Shqipëri dhe të marrin të njëjtën diplomë që jepet në Londër”.
Duke folur specifikisht për Universitetin Luarasi, Ruka tha se “është rritur vit pas viti, jo vetëm në fakultete, por në programe studimi, në numër studentësh, duke zgjeruar stafin, por edhe në marrëdhënie ndërkombëtare”. “Sot jemi një ndër universitetet me akreditimin më të lartë në Shqipëri”, tha Ruka.
(BalkanWeb)