Të veshur me togën e zezë të gjyqtarit, prokurorit apo avokatit, ata mbrojtën kauzën e të pandehurit, duke dhënë verdiktin final. Bëhet fjalë për një seancë të mirëfilltë gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Tiranë, ku protagonistë janë studentë të Drejtësisë në universitetin “Luarasi” i cili vazhdon traditën e kombinimit të teorisë me praktikën, me synim përgatitjen e profesionistëve liderë në tregun e punës.

Këtë të diel, nën udhëheqjen e zëvendës dekanit të drejtësisë dhe pedagogut të departamentit të së drejtës penale dr. Admir Belishta studentët e vitit të tretë kanë qenë të pranishëm në ambientet e Gjykatës Penale të Tiranës ku janë organizuar në një gjyq simulues duke marrë rolin e gjykatësve, prokurorëve e avokatëve. Nëpërmjet mundësive të tilla të ofruara nga “Luarasi”, studentët kanë zbatuar me përpikmeri dhe aftësi dijet teorike të marra në auditorë. Ata kanë vlerësuar faktet e kanë dhënë vendime të drejta duke zbatuar ligjin. Për pedagogun e lëndës procedurë penale dr. Admir Belishtën, i cili ka punuar me studentët, kjo ishte mënyra më e mirë për të provuar dijet e tyre në praktikë.

Sakaq studentët e drejtësisë shprehen se përvoja në sallën e gjyqit ku u gërshetua e teoria me praktikën ishte mjaft e vlefshme për ta. Me improvizimin e gjyqit simulues “Luarasi” dëshmon edhe një herë se ka studentë kreativë dhe cilësorë, të gatshëm për t’u përballur jo vetëm me tregun e punës, por edhe me sfidat pas daljes nga auditorët e universitetit.

(BalaknWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: