TIRANE

Sot protesta e studentëve hyn në ditën e 10. Disa prej tyre nuk i janë ndarë për asnjë moment protestës duke e gdhirë tërë natën në të ftohtë e shi para Kryeministrisë.

Siç kishin paralajmëruar, studentët u mblodhën sërish në Fakultetet e tyre për të marshuar më pas drejt godinës së kryeministrisë në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Kushtet e këqija atmosferike nuk i kanë penguar aspak studentët të protestojnë. Duke folur për gazetaren Klodiana Lala, disa studentë thanë se nuk do i ndahen protestës, ndërsa prej ditësh kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave.


Ndërkohë kryeministri Edi Rama nëpërmjet deklaratave për mediat apo dhe postimeve në rrjetet sociale nuk lëshon pe, duke i bërë të ditur studentëve se kërkesat e tyre do të zgjidhen vetëm përmes dialogut. Presidenti Ilir Meta riktheu serish në Kuvend ligjin për buxhetin 2019, me qëllim që t’u jepet mundësi plotësimit të kërkesave të studentëve.

STUDENTËT ULTIMATUM RAMES: MBLIDH NESËR KUVENDIN
Ora 13:25 Teksa qëndrojnë prej disa orësh poshtë zyrës së Ramës, studentët i kanë bërë thirrje Parlamentit që të zhvillojë të shtunën (nesër) një seance të jashtëzakonshme për të shqyrtuar kërkesat e tyre.

Ata i kanë dhënë ultimatum kreut të qeverisë që të thërrasë deputetët nesër deri në orën 16:00, në të kundërt, kërcënojnë ata, do të bëjnë protestë kombëtare. “Thërrisni deputetët. Të flitet aty për ne. Jemi të vendosur, nuk na përçan dot. Nëse deri në orën 16 nuk thërrisni parlamentin në shesh nuk do janë vetëm studentët. Do bëjmë protestë kombëtare”, pohojnë njëzëri protestuesit.

8 14
8 14

STUDENTËT E ELBASANIT DREJT TIRANËS, I BASHKOHEN PROTESTËS TEK KRYEMINSITRIA
Ora: 09: 55 Për të disatën herë radhazi, studentet e Elbasanit do t’i bashkohen protestës së bashkëmoshatarëve të tij në Tiranë. Gazetari Fatmir Popja raporton për ‘BalkanWeb’ se ka qenë një grup i vogël studentësh ata që janë nisur drejt kryeqytetit. Ndërkohë, një grup studentësh të tjerë u mblodhën para Universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’ ndërsa bënë thirrje për pjesëmarrje masive në protestë. Ata u shprehën se: “Mësimi është bojkotuar jo për të mbushur kafenetë, por për të luftuar për të drejtat e tyre”.

(e.f/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: