TIRANE

Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, Erl Murati i ftuar në studion e “Dritare me Rudinën” në Neës24, për të folur për protestën e studentëve, tha se ministrja Lindita Nikolla duhet të japë dorëheqjen.

Sipas tij, ministrja e Arsimit nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë pasi nuk ka mundur të mbajë nën kontroll as nxënësit e gjimnazeve e jo studentët e universiteteve.

Murati tha se e kupton skepticizmin e studentëve karshi dialogut të kërkuar nga Rama, pasi edhe më përpara kur i ka thirrur në dialog ai ka bërë monolog.

“Kjo është një protestë e veçantë dhe e pazakontë, jo për shkak të masivitetit, jo për shkak se atë e bëjnë të rinjtë, se në të kaluarën ka pasur dhe më shumë, por besoj se është e veçantë pasi në këto 27 vite kemi parë parti politike që dalin në protesta dhe flasin në emër të popullit. Marin të drejtën për të folur për të drejtat e popullit, por këtu situatën e ka marrë në dorë vetë populli. Nuk ka një drejtues, dhe kjo është gjë e mirë dhe diçka pozitive, sepse nuk e dimë si do shkojë në të ardhmen. Mund të jetë pikë e fortë pasi kështu ndoshta nuk korruptohen.

Përsa i përket kryeministrit, e kuptoj skepticizmin e studentëve.

Rama zbriti në shesh para kryeministrisë e ka zbritur në protestë ka tërhequr me pedagogë e studentë, dhe pastaj ka mbajtur një monolog, ku Rama sikur donte t’i thoshte unë jam kryeministri e ju duhet të më dëgjoni.

Studentët nuk kanë pse kompleksohen, një nga kërkesat e studentëve është përgjysmimi i tarifës. Dhe këtë vendim e merr qeveria, edhe po të dojë Nikolla, prap kryeministria e merr. Prandaj protesta duhet të zhvendoset drejt kryesministrisë.

Një gjë nuk kuptoj çfarë bën në atë detyrë ministrja Lindita Nikolla, pasi nuk ka asnjë arsye pse ajo duhet të qëndrojë atje ndërkohë të gjithë janë derdhur sot para ministrisë së saj.

Tashmë s’po zhvillohet mësim as në disa gjimanze. Ministrja s’ka arritur të mbajë nën kontroll situatën. Hapi tjetër duhet të ishte që të japë dorëheqjen dhe s’ka pse të japë shpjegime fare. Qeveritarët nuk duhet të mendojnë se unë zë atë karrige aty, dhe duhet ta mbaj. S’duhet përjetuar si dramë largimi nga ajo karrige. Se këta mendojënë se duhet të jenë në përjetësi aty,” tha Murati.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: