Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka reaguar në lidhje me paketat e rezistencës.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ajo ka shkruar se qeveria vijon të tallet me studentët që janë jashtë kësaj pakete , duke zvarritur çështjen e bursave, teksa në kulmin e krizës janë dyfishuar çmimet e kostove të jetesës.

“Një qeveri që përbuz të rinjtë i ka ditët të numëruara!”, ka mbyllur shkrimin Xhixho.

Postimi i plotë:

“Të përjashtuar nga të gjitha paketat e rezistencës dhe pseudo “Pakoja e madhe”, qeveria vijon të tallet me studentët, duke zvarritur pagesën e bursave.

Në kulmin e krizës së çmimeve, që ka dyfishuar koston e tyre të jetesës, studentëve shqiptarë nuk u jepet as ajo që me të drejtë u takon.

Bursat sociale dhe ato të ekselencës për studentët vonohen nga 4 deri në 6 muaj. Edhe pse vlera e tyre nuk i kalon 10 mijë lekë të reja, qeveria e shpërfill nevojën dhe meritën e studentëve, duke zvarritur me muaj të tërë disbursimin nga fondi i bursave.

Asgjë më shumë se kjo zvarritje nuk flet për qasjen që kjo qeveri ka për arsimin dhe të rinjtë e këtij vendi.

I bëj thirrje qeverisë t’i japë studentëve  bursat dhe pagesën që u takon, madje me dëmshpërblimin për vonesat e shkaktuara.

Kjo është arsyeja pse çdo ditë qindra të rinj marrin rrugët e Europës, shpesh duke rrezikuar edhe jetën.

Një qeveri që përbuz të rinjtë i ka ditët të numëruara!”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb