Pas një semestri online, Wang Ziwei mezi priste të takonte shokët e klasës që po ktheheshin në kampus në Universitetin e Uashingtonit në St. Louis. Por studenti 23-vjeçar i financave tha se Shtetet e Bashkuara nuk i dhanë vizën studentore për arsye sigurie.

I riu Wang është ndër të paktën 500 studentë që qeveria kineze thotë se u janë refuzuar vizat pas një urdhri të lëshuar nga Presidenti i atëhershëm Donald Trump për të bllokuar Pekinin nga marrja e teknologjisë amerikane me përdorime të mundshme ushtarake. Studentët argumentojnë se kjo regullore aplikohet shumë gjerësisht dhe nxit atë që ata thonë se është një akuzë se ata janë spiunë.

“E gjithë kjo është e pakuptimtë,” thotë Wang. “Çfarë lidhje kemi ne studentët e financave me ushtrinë?”

Studentët u bashkohen kompanive dhe individëve, planet e të cilëve janë prishur për shkak të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës mbi teknologjinë dhe sigurinë, ekspansionit ushtarak të Pekinit, origjinën e koronavirusit, të drejtat e njeriut dhe pretendimet konfliktuale ndaj Detit të Kinës Jugore dhe territoreve të tjera.

Kjo politikë bllokon vizat për njerëzit që janë të lidhur me krahun ushtarak të Partisë Komuniste në pushtet, Ushtrinë Çlirimtare të Popullit ose universitetet që konsiderohen nga Uashingtoni si pjesë e përpjekjeve të modernizimit ushtarak.

Zyrtarët amerikanë besojnë se mijëra studentë dhe studiues kinezë marrin pjesë në programe që i inkurajojnë ata të transferojnë informacione mjekësore, kompjuterike dhe të tjera informacione sensitive në Kinë.

Uashingtoni citon strategjinë e Pekinit për “ndërlidhje civilo-ushtarake”, duke i trajtuar kompanitë dhe universitetet private si pasuri për zhvillimin e teknologjisë ushtarake kineze.

“Institucionet e përbashkëta kërkimore, akademike dhe firmat private po shfrytëzohen për të ndërtuar sistemet e ardhshme të Ushtrisë Çlirimtare të Popullit – shpesh pa dijeninë ose pëlqimin e tyre,” thotë Departamenti i Shtetit në një raport të vitit 2020.

Pasardhësi i zotit Trump Joe Biden, nuk ka dhënë asnjë shenjë se çfarë mund të bëjë.

Sipas The Paper, një gazetë online e Shangait, zyrtarët kinezë i bënë thirrje zëvendës Sekretares amerikane të Shtetit Wendy Sherman që të heqë kufizimet e vizave kur ajo vizitoi Kinën në korrik.

Politika është e nevojshme për të “mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare të SHBA”, tha në një deklaratë Ambasada Amerikane në Pekin. Ajo tha se politika është një përgjigje ndaj “disa abuzimeve të programit të vizave” dhe po “vëzhgohet me kujdes”.

Sipas ambasadës gjatë katër muajve të fundit janë miratuar më shumë se 85,000 viza për studentët kinezë.

“Shifrat tregojnë qartë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të japin viza për të gjithë ata që janë të kualifikuar – përfshirë studentët dhe studiuesit kinezë,” tha ajo.

Sipas të dhënave të qeverisë amerikane Kina përbën numrin më të madh të studentëve të huaj në Shtetet e Bashkuara. Ky numër ra 20% në vitin 2020 nga viti i kaluar, por 380,000 studentë kinezë janë gati dyfishi i atyre të Indisë së renditur në vendin e dytë.

Një inxhinier në një kompani shtetërore të prodhimit të avionëve tha se i ishte refuzuar viza për të shoqëruar gruan e tij, një studiuese në Kaliforni që studion kancerin tek fëmijët.

Inxhinieri, i cili donte të jepte vetëm mbiemrin e tij, Huang, ka diploma universitare dhe pasuniversitare nga Instituti i Teknologjisë Harbin në verilindje të Kinës. Ai është një nga shtatë shkollat që njoftimet e lajmeve kineze thonë se janë të lidhura me refuzimin e vizave sepse ato janë të lidhura me Ministrinë e Industrisë dhe Teknologjinë e Informacionit.

“Unë u fyeva,” tha zoti Huang. “Fakti që kam mbaruar këtë shkollë a do të thotë se jam spiun? Cili është ndryshimi midis kësaj dhe racizmit? ”

Huang tha se studimet e gruas së tij do të zgjasnin dy deri në tre vjet, por ajo do ta shkurtojë kohën në vetëm një vit, “duke sakrifikuar karrierën e saj” për të shmangur largimin për një kohë të gjatë nga dy fëmijët e tyre.

“Ka një ndikim mjaft të madh tek individët kur një vend lufton ndaj një tjetri,” thotë zoti Huang.

Letrat refuzuese të marra nga disa studentë cituan urdhrin e ish presidentit Trump, por nuk dhanë hollësi të tjera për vendimin. Sidoqoftë, disa studentë thanë se morën refuzime menjëherë pasi u pyetën se cilin universitete kishin ndjekur.

Wang, studenti i financave, tha se kishte marrë një vizë, por ambasada amerikane i telefonoi më vonë dhe tha se viza i ishte revokuar.

Wang është diplomuar nga Instituti i Teknologjisë në Pekin, një universitet tjetër i lidhur me refuzimin e vizave për shkak të lidhjes së tij me ministrinë e industrisë. Institucionet e tjera të përfshira janë Universiteti Hapësinor o Pekinit, Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë Nanjing, Universiteti i Aeronautikës dhe Astronautikës në Nanjing, Universiteti Inxhinierik Harbin dhe Universiteti Politeknik Northwestern.

Të diplomuarit e Universitetit Telekomunikacionit në Pekin thonë gjithashtu se janë refuzuar të marrin viza.

Pesë shkencëtarë kinezë në universitetet në Kaliforni dhe Indiana u akuzuan vitin e kaluar se kishin gënjyer në lidhje me lidhjet e mundshme ushtarake në aplikimet për vizë. Këto akuza u hoqën në korrik pasi Departamenti i Drejtësisë tha se një raport i FBI -së tregonte se akuza të tilla nuk kishin lidhje me vjedhjen e teknologjisë.

Qeveria kineze u ankua në gusht se tre studentëve që kishin viza iu refuzua hyrja në Shtetet e Bashkuara në aeroportin e Hjustonit pasi në telefonat e tyre u gjetën foto të stërvitjeve ushtarake.

Pekini “dënon fuqishëm dhe kundërshton” këtë politikën dhe i bëri thirrje qeverisë amerikane të bëjë ndryshime, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin.

Një grup që thotë se përfaqëson më shumë se 2,000 studentë dhe studiues ka njoftuar planet për një padi duke i kërkuar një gjykate të heqë ose ngushtojë kufizimet.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb