TIRANË

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi tha sot në studion e News24 në rubrikën “Opinion” se qeveria i mbështet studentët dhe është dakord me kërkesat e tyre por se gjithçka duhet të zgjidhet me dialog. Klosi pranoi disa problematika në universitete dhe shqetësime të studentëve por theksoi se gjëra janë shumë më mirë se disa vite më parë.

“Situata në universitete është problematike. Padyshim që arsimi ka probleme por padyshim që gjërat janë shumë më mirë. Mbyllja e një sërë universitetesh private vuri një tjetër kriter në tregun e punës. Të 8 kërkesat janë pranuar publikisht nga çdo folës i së majtës se janë problematike që janë për zgjidhje, që duhen zgjidhur, që premtohet se do zgjidhen.
Në radhë të parë duhet të dimë autorësinë e atyre kërkesave. Njoh me mijëra studentë, që këto kërkesa i mbështesin por duan dialog”, tha Klosi.

Lidhur me mundësinë për ndryshime në buxhetin e vitit të ardhshëm, ministri u shpreh se ky buxhet ka ardhur pas një sërë analizash.
“Buxheti i shtetit është një organizate qeveritare që ka punuar prej një viti. Nuk përgatitet sot. Është buxhet që vjen pas një sërë analizash.
Nuk mund të themi hajde ta shtojmë tek 5%. Ne jemi të gatshëm të vendosim kritere të shkojmë tek 5. Hajde diskutojmë, bëjmë një kalendar.
Nuk funksionon demokracia kështu. Me kë duhet ta mbyllim ne këtë histori. Një student del sot, një del nesër”, tha Klosi.

Ministri deklaroi se qeveria është 1 milion % e sinqertë në ftesën e saj për dialog ndaj studentëve. “Reformën e Arsimit të Lartë e kemi pasur një nga shtyllat e programit tona. Në qoftë se ka një dialog, bashkëbisedim ka zgjidhje.
Ne kemi bërë një opozitë shumë të vështirë por kemi pasur një arsye pse i kemi bërë. Le të formulojë opozita kërkesat dhe të dalë në protestë por jo të fshihet. Edhe kur plotësohen këto kërkesat nuk mbaron këtu, përsëri do ketë të tjera”, tha Klosi.

Ai përsëriti thirrjen për dialog mes qeverisë dhe studentëve.
“E gjithë përpjekja jonë që të kemi mundësi të dialogojmë. Dhe prezenca ime në studio është të bëjmë thirrje për dialog, për bashkëbisedim të adresojmë kërkesat e studentëve.
Diskutimi për një ligj që realisht është bërë me ekspertizën më të mirë, nuk mendoj se është momenti.
Në pikat që i përkasin qeverisë pothuajse janë të gjitha pikat që mund të ndikojë”, u shpreh ministri Klosi.

Klosi tha ndër të tjera se dialogu nuk përqendrohet vetëm tek 8 kërkesat e studentëve, por edhe për problematika të tjera. Sipas tij, duhen të dyja palët të jenë të gatshme për zgjidhjen e çështjeve.

“Qeveria mund të ndikojë për 8 kërkesat. Dialogu nuk mund të përqendrohet vetëm tek 8 pikat. Disa gjëra nuk i takojnë qeverisë, por po zgjidhen. Ulja në tavolinë është momenti që qetëson gjakrat. Nuk mjafton që një krahë të thotë u zgjidh. Duhen të dyja palët për zgjidhjen e çështjeve. Ligji i arsimit të lartë ka qenë me tepër për autonominë e universiteteve.  Kryeministri kërkon që të kemi mundësi që të largojmë ata administratorë publikë që kanë abuzuar me fondet publike”- tha ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb