10 mijë studentë përmes përfaqësuesve të tyre Agred Tafaj dhe Aurel Kujtimi kanë mbledhur online firmat në një peticion që prej javësh qarkullon online.

Ata kërkojnë rikthimin e tyre në auditorët e universiteteve për të zhvilluar sezonin e parë të provimeve por jo vetëm, studentët përsëri i kanë bërë thirrje Komitetit të Ekspertëve t’i lejojnë të kthehen në auditorë për të zhvilluar atje seminaret, praktikat dhe punët e laboratorit.

Peticioni me firmat e 10.000 studentëve kundërshton zhvillimin e provimeve online me argumentin se do të lindin pabarazi në sigurimin e kushteve për zhvillimin e tyre për pasojë edhe pabarazinë para ligjit dhe shkelje të detyrimit kushtetues.
“Ju bëjmë me dije se peticioni për hapjen e auditorëve është mbi 10 mijë nënshkrime. Më poshtë ju paraqesim listën e të gjithë nënshkruese. Ju bëjmë të ditur gjithashtu se kërkesat tona për hapjen e auditorëve lidhen me zhvillimin e seminareve, praktikave dhe punët e laboratorit duke përjashtuar zhvillimet e leksioneve. Kërkojmë që zhvillimi i provimeve të përfshihet si pjesë e kërkesës së studentëve për hapjen e auditorëve dhe marrjen drejtpërdrejtë të studentëve në provime.

Ne studentët kundërshtojmë zhvillimin e provimeve online për shkak të pamundësisë dhe pabarazisë në sigurimin e kushteve për zhvillimin e tyre për pasojë edhe pabarazinë para ligjit dhe shkeljet e detyrimit kushtetues. Opinionet e pedagogëve dhe administratës së universiteteve nuk përfaqësojnë vullnetin e studentëve dhe jo detyrimisht mbrojnë interesin e tyre”, kanë shkruar ata.
Një ditë më parë Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi gazetarët se brenda kësaj jave do të merret një vendim për peticionin e dërguar nga studentët për zhvillimin e provimeve në auditorë.

  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb