Protestat masive nga studentët kundër një rektori të emëruar nga presidenti Erdogan në një nga universitet e Stambollit janë kthyer në një betejë më të gjerë për demokraci dhe të drejta.

Kudret Cetinkaya, një studente 21-vjeçare në Stamboll, përjetoi një ndërhyrje brutale nga policia turke kundër protestave masive të studentëve këtë javë në Stamboll.

Pavarësisht kësaj, si shumë nga studentët e tjerë, ajo nuk po dorëzohet. “Ne nuk do të dorëzohemi kurrë. Këta rektorë do të ikin dhe ne do të fitojmë”, tha ajo në një intervistë për BIRN me telefonin e një shoqes së saj. Policia ia konfiskoi asaj celularin kur e mbajti në paraburgim në fillim të kësaj jave.

Cetinkaya është një nga mijëra studentë, kryesisht në Stamboll, por edhe në qytete të tjerë, të cilët iu bashkuan protestave masive këtë javë – pavarësisht ndërhyrjes së ashpër të policisë dhe dekretet që ndalojnë çdo tubim shoqëror.

Shkaku origjinal i tubimeve ishte emërimi nga ana e qeverisë i një rektori në Universitetin prestigjioz Bogazici të Turqisë në Stamboll, i cili njihet edhe si “Harvardi Turk”.

Pas ndërhyrjes së policisë, megjithatë, ajo është kthyer në një revoltë më të gjerë të udhëhequr nga studentët kundër qeverisë së ashpër të presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe goditjes së tij ndaj universiteteve.

Qeveria dhe aleatët e saj e kanë ndezur situatën edhe më tej duke i quajtur protestuesit “terroristë” dhe “fashistë” dhe duke i akuzuar ata për “anarki”.

Presidenti Erdogan u fut në debate të premten duke u shprehur se synimi i vërtetë nuk ishte rektori i ri, por qeveria e tij.

“Ata thonë se rektori duhet të japë dorëheqjen. Nëse ata janë mjaftueshëm të guximshëm, atëherë do të thonë gjithashtu se edhe presidenti duhet të japë dorëheqjen”, tha Erdogani.

“Ata nuk do të jenë të suksesshëm. Nuk do të ketë një protestë të dytë të Parkut Gezi”, shtoi ai, duke kujtuar protestat e para masive në rrugë në vitin 2013 kundër sundimit të tij.

Të paduruar, pas deklaratave të Erdoganit, disa studentë kanë filluar një fushatë në rrjetet sociale me hashtaget: “Ne jemi të guximshëm” dhe “Dorëheqje presidentit”.

Policia ndaloi qindra studentë gjatë javës dhe më shumë ndalime po kryhen ende në Stamboll dhe qytete të tjera.

Ministri i brendshëm Suleyman Soylu është zotuar se do t’i ndalojë studentët. “Nuk do të lejoja heqjen e rektorit edhe nëse Universiteti Bogazici do të përfshihej në trazira, edhe sikur Turqia të përfshihej në trazira”, tha ai.

“Le të mos pretendojmë më se kjo ka të bëjë me lirinë e fjalës dhe të drejtën për protestë paqësore”, tha të enjten në një video të publikuar nga presidenca Fahrettin Altun, kreu i komunikimit në presidencën e vendit.

Sipas Altun, Bogazici është bërë një vatër radikalizimi nga i cili studentët i bashkohen organizatave terroriste.

Studentët e ndaluar ose të shpërndarë nga policia i mohojnë këto pretendime dhe thonë se ata do të vazhdojnë protestat e tyre derisa të gjithë rektorët e emëruar nga qeveria të japin dorëheqjen.

Ndërhyrja e politikës nis trazirat

Studentët në Sheshin Kadikoy protestojnë kundër një rektori të sapoemëruar në Universitetin Bogazici i cili është anëtar i partisë së presidentit Erdogan. Foto: Bogazici Dayanismasi

Cetinkaya është ndaluar nga policia jo një herë, por dy herë. “U ndalova nga policia para një muaji në shtëpinë time kur filluan protestat dhe përsëri këtë javë para Universitetit Bogazici. Ndalimet dhe arrestimet nuk mund të na ndalojnë”, tha Cetinkaya.

Për një muaj, si studentët ashtu edhe akademikët në Universitetin Bogazici kanë demonstruar kundër emërimit të Melih Bulu, të cilit u dha posti i rektorit më 1 janar nga presidenti Erdogan.

Ata duan që rektori të japë dorëheqjen dhe kërkojnë të drejtën për ta zgjedhur vetë rektorin e tyre.

Në shtypjen që pasoi një përpjekje të dështuar për grusht shteti në 2016, qeveria anuloi zgjedhjet për rektor me dekret presidencial.

Erdogan që atëherë i ka emëruar vetë rektorët e universiteteve. Kritikët thonë se ai po përpiqet të kontrollojë akademinë dhe të heshtë zërat kritikë në të si pjesë e një politike të gjerë shtypëse.

Tensioni u shtua edhe më tepër këtë javë kur qeveria e tij pretendoi se studentët demonstrues kishin fyer Islamin në një protestë në kampusin e Universitetit Bogazici.

Katër studentë u ndaluan nën pretendimin se kishin shpalosur një flamur të aleancës LGBT pranë një fotoje në një ekspozitë të vendit të shenjtë në Mekë. Dy prej tyre janë akuzuar.

Në një postim në Twitter, ministri i brendshëm Soylu nisi një sulm homofobik. “Ne nuk do t’i tolerojmë perversët LGBT që të fyejnë Kaaba (një vend i shenjtë në Mekë)”.

Twitter më vonë e shënoi atë postim si një që shkelte politikat e tij mbi “sjelljen e urrejtjes”.

Kritikët thonë se qeveria e presidentit Erdogan përdor protestat si një mjet për ta polarizuar edhe më tej shoqërinë.

Duke bërë kështu, thonë ata, Erdogan shpreson të konsolidojë bazën e tij elektorale, e cila ka rënë për shkak të efekteve të pandemisë, krizave politike pothuajse të pafundme brenda dhe jashtë vendit dhe gjithashtu duke thelluar krizën ekonomike.

“Ne duam të studiojmë në kushte më demokratike dhe t’i administrojmë universitetet tona së bashku. Kjo nuk është më thjesht një çështje universitare”, tha Cetinkaya.

Sevin Ulusoy, një studente 21-vjeçare në Universitetin Teknik Yıldız i cili u ndalua nga policia këtë javë, pajtohet. Ajo thotë se qeveria i lidh të gjithë ata që nuk mendojnë si ata me organizatat terroriste.

“Të thuash që çdo disident ka lidhje me organizatat terroriste është normalja e re në Turqi.”

“Studentët, biznesmenët, punëtorët, mësuesit, avokatët dhe mjekët etiketohen të gjithë ‘terroristë’, nëse nuk i shkojnë për shtat qeverisë”, shtoi Ulusoy.

Një luftë më e gjerë për liri akademike
Studentët në Sheshin Kadikoy protestojnë kundër një rektori të sapoemëruar në Universitetin Bogazici i cili është anëtar i partisë së presidentit Erdogan. Foto: Bogazici Dayanismasi

Një student në Universitetin Bogazici i tha BIRN në kushte anonimiteti se protestat nuk ishin vetëm për rektorin e tyre të caktuar nga presidenti.

“Ky problem është një problem i lirisë dhe pavarësisë akademike. Ai përfshin jo vetëm Bogazicin, por të gjithë universitetet e tjera”, tha ai.

“Qëllimi ynë kryesor tani me këto protesta është të shohim të gjithë miqtë tanë të ndaluar dhe arrestuar të lirohen dhe nuk do të ndalemi derisa të gjithë rektorët e emëruar të japin dorëheqjen”, shtoi ai.

Por rektori i ri, Bulu, nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. “Të bëhem rektor në Universitetin Bogazici ka qenë ëndrra ime prej 22 vjetësh. Nuk do ta mendoj dorëheqjen”, u tha ai gazetarëve të mërkurën.

Ege Sengezgin, një student 22-vjeçar në Bogazici, gjithashtu dyshon se rektori do të japë dorëheqjen me vullnetin e tij të lirë.

“Ky nuk do të ishte vendimi i tij. Ky vendim duhet të vijë nga një post më i lartë, pra nga presidenti Erdogan”, tha Sensezgin për BIRN.

Policia e ndaloi Sensezginin kur ata bastisën kampusin universitar me ftesë të rektorit të ri të hënën.

“Policia në fillim nuk na lejoi të largoheshim nga kampusi. Kur filluam një grevë të ulur përpara rektoratit, ata hynë në kampus dhe më ndaluan mua dhe shumë të tjerë”, tha Sensezgin.

Qeveria dhe rektori i caktuar nga ajo pretenduan se studentët synonin të pushtonin rektoratin, por studentët e mohojnë këtë.

“Ne nuk u përpoqëm kurrë të të pushtonim rektoratin dhe nuk kishim kurrë ndonjë plan për ta bërë këtë. Po prisnim që rektori të dilte jashtë dhe të fliste me ne, siç bëri më parë”, tha Sensezgin.

Sensezgin u mbajt në arrest policie për tre ditë dhe u la i lirë nga gjykatat të enjten.

Por ai përsëri duhet të paraqitet në një stacion policie çdo javë për të firmosur dhe e ka të ndaluar të udhëtojë jashtë shtetit, njësoj si shumë protestuesve të tjerë.

“Ne thjesht duam demokraci. Kërkojmë të drejtat tona themelore për protesta paqësore dhe liri akademike”, tha ai për BIRN.

“Për sa kohë që përgjigjet dhe ndërhyrjet despotike ndaj këtyre lloj kërkesash paqësore vazhdojnë, atëherë edhe protestat do të vazhdojnë”, përfundoi ai./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: